Kosovë, rikthehen strukturat paralele në veri

05/01/2015 00:00

Serbia rikthen strukturat paralele në Kosovë duke shkelur kështu marrëveshjen Prishtinë-Beograd për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç i ka emëruar kryetarët legjitimë të pesë komunave me shumicë serbe edhe kryetarë të komunave paralele serbe. Bëhet fjalë për katër komunat e veriut të Kosovës dhe komunën e Shtërpcës.

Për ato në veri vendimi është marrë në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar, ndërsa për kryetarin e Shtërpcës vendimi u mor më 31 dhjetor.

Në vendim, i cili është i publikuar në gazetën zyrtare të qeverisë serbe, bëhet e ditur po kështu se Vuçiç ka lëvizur nga detyra kryetarët e deritanishëm të institucioneve paralele.

Kështu, kryetari i Shtërpcës i zgjedhur në zgjedhjet e Kosovës, Bratislav Nikoliç do të jetë kryetar i komunës së shtetit të Kosovës. Njëkohësisht, ai do të zëvendësojë në krye të komunës paralele Ivan Redziç.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës, Ljubomir Mariç nuk i është përgjigjur interesimit të Top Channel për këtë rast.

Por burime të tjera zyrtare, në kushte anonimati thonë se kryetarët e këtyre komunave, të cilët kanë pranuar të jenë edhe kryetarë të institucioneve paralele, po veprojnë në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

Top Channel