Barça shkarkon drejtorin sportiv Andoni Zubizarreta

05/01/2015 00:00

Barcelona ka njoftuar këtë të hënë përfundimin përpara kohe të kontratës mes klubit dhe drejtorit sportiv, Andoni Zubizarreta.

“Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, ka vendosur t’i japë fund kontratës aktuale me drejtorin sportiv të klubit të futbollit”, me këto fjalë të publikuara në faqen zyrtare të klubit, katalanasit kanë njoftuar prishjen e kontratës me të.

Në të njëjtën deklaratë, Bartomeu, në emër të të gjithëve te Barcelona, ka falënderuar “për kontributin e tij, dedikimin dhe profesionalizmin e treguar përgjatë 4 viteve të fundit, në krye të menaxhimit të klubit”.

Presidenti Josep Maria Bartomeu pritet të mbajë edhe një konferencë për shtyp të mërkurën, ndoshta për të dhënë edhe arsyet e këtij vendimi, që vjen vetëm një ditë pas humbjes së Barcelonës ndaj Real Sociedad në “Anoeta”, duke mos mundur të rikuperojë pikë të vlefshme ndaj kryesuesve të Real Madridit, që humbën gjithashtu ndaj Valencias.

Top Channel