Dëbora dhe ngricat, cilat janë akset më të rrezikshme?

05/01/2015 00:00

Ditët e para të janarit e kanë gjetur Shqipërinë të mbuluar me “vellon” e bardhë të dëborës, e cila së bashku me ngricat është kthyer në armikun kryesor të shumë fshatrave.

Më e vështirë, situata është për automjetet që duhet të lëvizin për nevojat jetike të banorëve. Por, si paraqitet situata në akset më problematike?

Sipas Drejtorisë së Emergjencave Civile, katër janë qarqet ku rrezikshmëria e lëvizjes është më e lartë.

Qarku Shkodër: Akset rrugore nacionale janë të kalueshme, me përjashtim të rrugës Kelmend-Selcë, që ka mbi një metër dëborë. Segmenti Qafë Mali-Fierzë është aktualisht i kalueshëm vetëm me zinxhirë, sikurse dhe Hani i Hotit-Kelmend. Borëpastrueset po punojnë për të hapur segmentin Fushë Arrëz-Iballë, ku bora ka mbuluar çdo gjë.

E njëjta situatë paraqitet dhe në Qarkun e Kukësit. Akset nacionale janë të kalueshme me zinxhirë. Rruga për në Komunën Arrëz është e bllokuar nga dëbora dhe aktualisht është e pakalueshme.

Qarku i Dibrës: Edhe pse dëbora ka qenë e dendur, në Dibër rrugët janë të kalueshme me vështirësi, pasi ngricat janë të rrezikshme. I pakalueshëm mbetet vetëm segmenti nga Komuna Arrëz për në Komunën Lurë, ku trashësia e dëborës ka arritur në 1 metër. Autoritetet lokale kanë hedhur vazhdimisht kripë, sepse ngricat kanë rrezikuar disa fugonë me pasagjerë.

Në Qarkun e Korçës rrugët janë të kalueshme, por në disa segmente policia këshillon gjithashtu përdorimin e zinxhirëve. Në rrugën Zemblak-Dogana Goricë, si dhe Korçë-Dardhë, qarkullohet vetëm me zinxhirë. Në Lin-Gur i Kuq ka vështirësi në kalim, si pasojë e gropave të akullit dhe ngricave. Në zonat rurale mund të kalohet, me përjashtim të aksit Voskopojë-Lekas, i cili është i bllokuar me 1 metër dëborë, ndërsa  po punohet për hapjen e tij.

Për shkak të temperaturave të ulta ka pasur edhe disa probleme. Kështu, në Bulqizë një mikrobus me 20 studentë është bllokuar për gati tri orë si pasojë e borës, në afërsi të fshatit Radovesh, në vendin e quajtur Ramnagor. Po në Bulqizë, një tjetër fugon me pasagjerë ka dalë nga rruga në afërsi të Urës së Topojanit. Për pasojë tre pasagjerë janë plagosur lehtë dhe gjenden jashtë rrezikut për jetën. Në ditët në vijim temperaturat do të rriten disi, edhe pse reshjet e dëborës vazhdojnë.

Top Channel