Udhëtim me thikën në kokë për të marrë mjekimin e duhur

05/01/2015 00:00

Mrekullia e shpëtoi një 39-vjeçar brazilian nga një goditje me thikë në kokë, pasojë e një zënke në një klub nate ku ishte përfshirë.

Juacelo Nunes de Oliveira u godit katër herë me thikë, tre herë në shpatull e ije dhe herën e fundit në kokë, ku agresorët i lanë brenda edhe thikën.

Ai u shoqërua menjëherë në spitalin më të afërt. Mjekët, pasi i mjekuan plagët në trup, vendosën që për heqjen e thikës në kokë pa e dëmtuar pacientin e tyre, ishte e nevojshme një ndërhyrje më e specializuar.

Kjo ndërhyrje e specializuar ndodhej 3 orë larg me ambulancë. Pavarësisht distancës, mjekët morën përsipër riskun. Juacelo u shoqërua për në spitalin e Emergjencave në Teresina.

“Iu deshën rreth 3 orë për të mbërritur këtu. Gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë me thikën e ngulur në kokë, pa e ditur as vetë një gjë të tillë. Ne besojmë që tronditja dhe pak alkooli kanë ndihmuar në këtë rast”, thotë Gilberto Albuquerque, kirurgu që udhëhoqi operacionin delikat.

“Thika ka kaluar mes nervit optik, atij të shijes dhe të ndjesisë së aromave. Na u deshën më shumë se dy orë për të hequr thikën pa dëmtuar këto nerva, pasi rrezikonte që pacienti të humbiste shikimin, aromën dhe shijen. Fatmirësisht asnjëra prej këtyre nuk ndodhi”, shton ai.

Pesë ditë pas operacionit, 39-vjeçari la spitalin dhe gëzon një shëndet të mirë, pavarësisht se do t’i duhet ende pak kohë që të rikthehet në gjendjen e mëparshme.

Top Channel