Gjermania e Franca, dyshime mbi samitin e Astanas, më 15 janar

05/01/2015 00:00

Gjermania ka ngritur dyshime mbi nevojën e mbajtjes së një samiti 4-palësh mbi krizën e Ukrainës, më 15 janar në kryeqytetin Astana të Kazakistanit, ndërkohë që edhe Presidenti i Francës u shpreh se takimi do të varet nga mundësia e “përparimeve” të bëra deri më tani e që do të bëhen në vijim.

Presidenti ukrainas Petro Poroshenko tha më 29 dhjetor se kishte ftuar udhëheqësit e Rusisë, Francës dhe Gjermanisë në tryezën e bisedimeve, në një tjetër përpjekje për të rikthyer paqen në territoret lindore të Ukrainës. Por, i pyetur në lidhje me samitin e planifikuar, zëdhënësi i Kancelares gjermane Angela Merkel, Steffen Seibert, tha se “nuk mund ta them ende, nëse do të zhvillohet një takim i tillë dhe se kur do të bëhet ai. Ky samit do të ketë kuptim real, vetëm nëse ne bëjmë progres të vërtetë përpara tij”.

“Ne jemi një ide të qartë se çfarë kuptojmë me progres real. Së pari e mbi të gjitha, kjo do të thotë të arrihet implementimi i plotë i marrëveshjes së paqes në Minsk, si dhe një armëpushim i vërtetë e i qëndrueshëm mes palëve, arritjen e një lindje kontakti mes zonave të kontrolluara prej Ukrainës dhe rebelëve, si dhe tërheqja e armatimeve të rënda nga territori ukrainas. Këto gjëra duhen përgatitur përpara takimit”, tha Seibert.

Në një intervistë për një radio franceze, Presidenti Francois Hollande dha një përkufizim disi më optimist. “Do të shkoj në Astana më 15 janar me një kusht: të kihet medoemos një mundësi për të arritur një progres real. Nëse ai takim do të zhvillohet thjesht si bisedime të radhës dhe pa arritur një akord përparues, atëherë do të ishte i pakuptimtë. Megjithatë, unë besoj se do të ketë progres”.

Diplomatët më të lartë nga Ukraina, Rusia, Gjermania dhe Franca priten të takohen në Berlin, ndërsa ministrat e Jashtëm të këtyre vendeve zhvilluan një konferencë telefonike ditën e premte. Merkel pritet të takohet me kryeministrin ukrainas, Arseny Yatseniuk, këtë të enjte në Berlin, ndërsa ministrat e Financave të dy vendeve respektive do të zhvillojnë gjithashtu bisedime atë ditë.

Top Channel