Valbona Imeraj: Telefoni më vështirëson jetën, e shmang gjithmonë përdorimin e tij

05/01/2015 00:00

Valbona dhe Rudina janë motra, e si të tilla ato janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Por, ka diçka që e prish thuajse gjithmonë komunikimin mes tyre: telefoni. Pajisja me të cilën Valbona, motra e madhe, ka zgjedhur të mos ketë një raport të mirë.

“Sikur ta kishim bërë këtë intervistë përpara 2-3 vitesh, ndoshta do të isha me disa rrudha në ballë dhe shumë e acaruar sepse ishte dhe është një betejë e humbur”, thotë Rudina.

Qoftë kur niset për në punë, kur shkon në një takim, apo del të argëtohet diku, Valbona zgjedh të mos e marrë me vete telefonin personal. Por, ky vendim i saj nuk përcillet kaq natyrshëm te familjarët dhe njerëzit që e rrethojnë.

“Ne gjithmonë, nëse duam të komunikojmë me Valbonën nëpërmjet telefonit, kemi gjithashtu dhe një plan B të përgatitur, që nëse nuk funksionon plani A lidhemi me të nëpërmjet pjesëtarëve të tjerë të familjes, ose edhe nëpërmjet shoqeve të saj. Ka edhe raste të tilla. Në telefonin tim kam të ruajtura si numrat e familjarëve të saj, edhe të shoqeve më të ngushta”, shton më tej Rudina.

Por për çfarë e mban Valbona telefonin?

“Duhet të bësh ndonjë lutje të veçantë, që Valbona të të përgjigjet në telefon. Ka raste që e kap dhe përgjigjet, por ato janë ekstremisht të rralla dhe të veçanta që të lidhesh me të. Duhet të jesh me shans që të tentosh të lidhesh me të përpara se të dalë nga shtëpia, sepse po doli nuk kapet më”, tregon më tej e motra.

Në një kohë kur e gjithë bota është e lidhur 24 orë në 24 virtualisht, nëpërmjet mjeteve të ndryshme të komunikimit, kjo zonjë është një rast tërësisht i përjashtuar.

“Thoshim që ka diçka jonormale tek ajo, por jemi mësuar tashmë. Si të thuash, na ka edukuar me regjimin e vetë, apo me raportin që ajo ka me këto pajisje, kështu që s’na përbën më përshtypje”, shton më tej Rudina.

Sigurisht që Valbona nuk jeton jashtë kohe dhe raporti me telefonin nuk është pakujdesi. Por, në një kohë kur zhvillimi i teknologjisë e ka bërë mënyrën e jetesës shumë dinamike, ajo zgjedh ta jetojë atë sa më thjeshtë të mundet.

“Rëndësi ka që ne e gjejmë se ku është dhe arrijmë të komunikojmë me të”, përfundon Rudina.

Top Channel