Zhbllokohen lejet e ndërtimit për banesa

05/01/2015 00:00

Pas vendimit të muajit gusht, që bllokoi lejet e ndërtimit me përjashtim të rasteve që i hapin rrugë zhvillimit ekonomik, qeveria ka zhbllokuar dhënien e lejeve nga njësitë e pushtetit vendor për kategorinë e banesave familjare.

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni ka sqaruar se të gjithë qytetarët që duan të ndërtojnë në pronën e tyre për qëllim strehimi mund të aplikojnë për marrjen e lejes së ndërtimit, por me kushtin që kjo pronë të gjendet brenda zonave të përcaktuara nga Agjencia e Planifikimit të Territorit si zonë për ndërtim.

“Ky vendim lehtëson trajtimin e nevojave të qytetarëve për banesat individuale njëfamiljare. Kjo kategori sociale ka mundësinë tani të aplikojë për leje ndërtimi normalisht pranë njësisë vendore. Të gjithë të interesuarit, që kërkojnë të ndërtojnë në pronat e tyre për interesa personale strehimi, apo për interesa ekonomike mund të përfitojnë ose të pajisen me leje ndërtimi”, ka deklaruar Gjermeni.

Ministrja Gjermeni ka saktësuar se leja e ndërtimit do të jepet pas marrjes së konfirmimit paraprak nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit nga vetë qytetarët ose nga Njësia Vendore respektive.

Top Channel