Tahiri: Policia iu kthye komunitetit, ka rënë numri i vrasjeve

05/01/2015 00:00

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në një dalje publike përpara gazetarëve paraqiti punën e policisë për 2014-n. Në analizën e tij, Tahiri u shpreh se policia tashmë perceptohet si një trupë në shërbim të qytetarëve.

“Viti 2014 do të shënohet si viti i rikthimit të Policisë së Shtetit në krye të detyrës, në luftë kundër informalitetit, ilegalitetit dhe kriminalitetit, nëpërmjet partneritetit me publikun. Ndërsa 2015 do jetë viti i modernizimit të policisë dhe kthimit të saj në një trupë në shërbim të qytetarëve”, deklaroi Tahiri.

Duke analizuar krimin e vrasjes, pavarësisht se ka pësuar një ulje nga viti i kaluar, ministri kërkoi bashkëpunimin e shoqërisë shqiptare për parandalimin e tij. Më shumë se 60 për qind e vrasjeve në 2014-n ishin brenda familjes, si edhe grindje të çastit.

“Në vitin 2014, krahasuar me 2013, vrasjet janë ulur me 10.4 për qind. Policia nuk mund të jetë e vetme në luftën kundër kriminalitetit. Është një zinxhir i tërë shoqëror, institucional dhe i drejtësisë që nëse do funksionojë siç duhet do të çojë në parandalimin e krimeve të rënda”, nënvizoi Tahiri.

Më tej Tahiri prezantoi policin e 2015-s, ose “policin komunitar” siç e quajti ai. “Do fillojmë një program për trupën e policit komunitar, që do jetë një strukturë tërësisht më vete, tërësisht e fokusuar tek qytetari, në zgjidhjen e konfliktit në fazën paraprake, parandalimin e tij dhe në ndërtimin e urave solide të partneritetit mes policisë, qytetarit dhe komuniteteve”, theksoi Tahiri.

Në statistikat e Ministrisë së Brendshme tregohet për një ulje të numrit të aksidenteve, të vrasjeve, grabitjeve me armë, të sekuestrimit të aseteve kriminale deri në 19 milionë euro, të sekuestrimit të armëve luftarake, si dhe heqjen e Shqipërisë nga harta e vendeve origjinë që prodhojnë bimë narkotike.

Top Channel