QSUT pa kushte sigurie. Kamera e fshehtë hyn në ambientet e urgjencës

05/01/2015 00:00

Pak ditë pas publikimit të vidoeskandalit të filmuar në urgjencën e QSUT-së, duket se situata vijon të mbetet e njëjtë sa u takon kushteve të sigurisë.

Edhe pse në një tabelë thuhet se lejohet hyrja vetëm e një familjari për të shoqëruar pacientin, duket se ky rregull nuk zbatohet.

Pas disa orë vëzhgime në ambinetet e QSUT-së, kamera e Top Channel nuk hasi në sekserë funeralesh, të cilët ndoshta për disa kohë do ta kenë të vështirë të afrohen në pavione si më parë, por aty mund të gjesh në çdo kohë njerëz nga më të ndryshmit, si shitës ambulantë, të cilët thonë se hyjnë normalisht në të gjitha ambientet.

Gazetari: Sa e ka paguren?

Shitësi: 50 lekë.

Gazetari: A ke ngrënë për Vit të Ri?

Shitësi: Po.

Gazetari: Po bërtit më shumë se nuk dëgjojnë njerëzit.

Shitësi: Po nuk është vendi për të bërtitur këtu.

Gazetari: A futesh pa problem në çdo pavion?

Shitësi: Futem.

Gazetari: Epo shyqyr që nuk të thonë gjë.

Shitësi: Kam shumë kohë që punoj këtu, se herët e para të bërtisnin. Nuk të linin as në oborr e jo më këtu.

Gazetari: Sa ke që punon këtu?

Shitësi: Nja 4 muaj.

Edhe pse në derën kryesore të urgjencës së Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza në kryeqytet veç rojes private ndodhen edhe efektivë të Policisë së Shtetit, sërish hyrja në këtë repart është e lirë dhe askush nuk kërkon informacion lidhur me arsyen e hyrjes në këto ambiente, të cilat siç duket janë të mbipopullura.

Top Channel