Çela: Sistemi energjitik, i vjetër dhe i amortizuar

05/01/2015 00:00

Me mijëra familje kanë kaluar ditët e ndërrimit të viteve pa energji elektrike, veçanërisht në zonat e Librazhdit, Kukësit, Burrelit dhe Korçës.

Administratori i OSHEE, Ardjan Çela thotë se ngarkesa e dyfishtë për shkak të temperaturave të ulëta, por mbi të gjitha moti i keq me rreshje bore dhe ngrica ka dëmtuar një numër të madh shtyllash elektrike, nënstacionesh e fiderash.

“Piku i kësaj ishte data 29, kur ishin rreth 126 mijë abonentë të regjistruar pa drita, që përbëjnë 10% të abonentëve. Sot që flasim kemi probleme në zonën e Malësisë së Librazhdit, ku nga 6.600 që ishin atë ditë sot janë 5.000 abonentët pa energji”, deklaron Çela.

Administratorit i Operatorit të Shpërndarjes thotë se situata të tilla emergjente, siç i cilëson ai, janë të papërballueshme në kushtet e një sistemi tërësisht të amortizuar.

“Nga 174 nënstacione, 159 kanë mbi 30 vjet pa investim. Nga 24 mijë transformatorë të kabinave të tensionit të ulët, 20 mijë kanë mbi 35 vjet. Gjithashtu kemi 42 mijë km kabëll që ka mbi 40 vjet”, nënvizon Çela.

Për të shmangur situata të tilla, Çela thotë se është hartuar një plan emergjence për furnizimin me bazë materiale të zonave më të nxehta, ndërsa në plan afatmesëm do të investohet në disa zona nevralgjike që regjistrojnë konsumin më të madh si Tirana, Durrësi, Shkodra dhe Fieri.

“Për sa kohë nuk ndërhyhet në rrjet, gjithmonë do ketë situata të ngjashme. Por janë 70 milionë që do investohen në 2015 dhe efektet që do të japë ky investim do të jenë në 2016 dhe në vazhdim. Por, kjo nuk do të thotë që në 2016 do të zhduket gjithë problematika”, shton Çela.

Top Channel