“Fituesit” e The Voice of Albania 4: Jeta jonë pas spektaklit

05/01/2015 00:00

Ata janë zërat triumfatorë që morën pjesë në edicionin e katërt të “The Voice of Albania” dhe të gjithë bashkë, konkurrentë dhe miq pas shfaqjes, kanë qenë të ftuar në “Pasdite në Top Channel”. Bëhet fjalë për finalistët e këtij “show” talentesh: fituesi Aslaidon Zaimaj, Olsa Ballguri, Albina Kelmendi, si dhe Semi Jaupaj.

Edhe pse rregullorja e këtij formati gjigant të “The Voice” të detyron të nxjerresh një fitues në fund të konkurrimit, ata të katërt mund të konsiderohen pa hezitim si fitues të edicionit të katërt. Aslaidoni, teksa përshkruan ato emocionet e para të përjetuara sapo dëgjoi emrin e tij të thirrej si fitues nga votat e publikut shqiptar dhe atij kosovar, është shprehur se gjithçka ishte si një ëndërr.

“Të them të drejtën nuk e prisja dhe jam befasuar tej mase kur dëgjova emrin tim. Fillimisht m’u duk e pabesueshme, por mund të them se ishte një emocion i papërshkrueshëm. Tashmë e kam marrë disi veten, jam ambientuar dhe po mësohem me idenë e të qenit fitues, por ende më bën përshtypje mbështetja e jashtëzakonshme e njerëzve, që më shkruajnë vazhdimisht në Facebook, në celular etj. Kjo është gjëja më e bukur që po përjetoj, sepse janë pikërisht ata që më zgjodhën mua fitues”, ka thënë Aslaidoni.

Konkurrenca në këtë edicion nuk mund të vihej aspak në dyshim, ka qenë e jashtëzakonshme, edhe pse u mbyllën tashmë 4 “show” fantastikë dhe, ashtu siç e kanë shprehur edhe vetë trajnerët e “The Voice”; Alma, Elsa, Genci dhe Sidriti; është gjithnjë e më befasuese fakti që zëra të mirë dhe të talentuar të muzikës lindin e rriten përditë.

Olsa, nga ana e saj, thekson se ka qenë një maratonë e gjatë dhe shumë e bukur. “Na duket ende e pabesueshme, një prej këtyre ditëve po bisedonim me Semin dhe të dyja bënim pyetjen: Ndodhi vërtet kjo shfaqje? Po ndodhi, edhe pse duket si një ëndërr, The Voice është një realitet për ne dhe do të mbetet gjatë në kujtesën tonë. Për mua madje është një ëndërr e bërë realitet, pasi them se ia arrita pikësynimit tim të vendosur në momentin që vendosa të konkurroja”, shton më tej Olsa.

Të katër finalistët e kanë merituar këtë sukses, pasi gjithçka ka qenë frut i punës së madhe dhe me vendosmëri të bërë prej tyre, të ndihmuar gjithashtu edhe nga eksperienca dhe leksionet e marra prej trajnerëve të tyre, pse jo një sakrificë – duke ditur mungesën në shkollë për shkak të konkurrimit – që ia vlejti të bëhej.

Albina Kelmendi ishte një tjetër zë brilant i këtij edicioni dhe, pavarësisht se nuk arriti të triumfonte në fund, shprehet se çdo ditë ia ka vlejtur, pasi që tani kanë filluar planet për të ardhmen, e cila është ndryshe nga sa mund të parashikohej përpara pjesëmarrjes në “The Voice 4”.

“Kam shumë plane, por mbi të gjitha dëshiroj të theksoj se pas The Voice, qyteti im më ka organizuar një pritje madhështore. I falënderoj të gjithë për përkrahjen, jo vetëm bashkëqytetarët e mi, por të gjithë publikun që na ka ndjekur dhe na ka mbështetur nga fillimi e deri në fund të kësaj ëndrre. Falë ndihmës së tyre unë mbërrita deri këtu dhe jam e bindur se mbështetja dhe përkrahja prej Shqipërisë e Kosovës do të vijojë edhe më tej. Është e vërtetë që kam bërë një sakrificë me shkollën – ashtu sikurse dhe konkurrentët e tjerë besoj – por nuk kam humbur gjë. Ishte një sakrificë që u bë për gjëra të bukura e pozitive, që në fakt askush nuk t’i fal e të cilat nuk arrihen lehtë, përveç se me mund e duke shfrytëzuar talentin”, ka thënë Albina.

Semi Jaupaj nuk u zgjat shumë, pasi siç thotë ajo gjërat që ishin për t’u thënë u thanë nga miqtë e saj në studio, por për të e rëndësishme ishte të theksohej se “ende na duket e pabesueshme që gjithçka ka mbaruar”.

“Ishim mësuar me intensitetin e ditës së zakonshme gjatë shfaqjes, prova duke nisur nga mëngjesi e përgjatë gjithë ditës, mësimet e këngëve dhe takimet e të gjithëve bashkë. Madje edhe sot kur u zgjova nga gjumi më dukej sikur isha vonë për The Voice dhe duhej të nxitoja për të shkuar në prova. Por tashmë ka mbaruar çdo gjë, fillon normaliteti i zakonshëm i jetëve të secilit prej nesh. Megjithatë vetëm fakti që ishim pjesë e një show të tillë na jep kënaqësi, pasi shumë e ëndërrojnë, por nuk zotërojnë talentin për të qenë pjesë e tij”, tha Semi Jaupaj, e cila rikujton për të gjithë të apasionuarit se audicionet për “The Voice 5” janë hapur dhe kush është i interesuar duhet të nxitojë.

E rëndësishme për të katër finalistët ka qenë edhe mbështetja e familjarëve e të të afërmve. Aslaidoni tregon se familja i mungoi në finale, për pamundësi për të ardhur në Shqipëri, por ajo kishte qenë e pranishme një javë më parë gjatë gjysmëfinales, një tjetër natë e sukseshme për Aslaidonin, i cili mori dhuratën e ëndërruar prej publikut, që i dha atij mundësinë të kalonte në finale e më pas të kurorëzohej me trofeun e këtij edicioni. Për të ka qenë një shtysë më tepër, më shumë energji, për të përballuar këtë ecuri të vështirë deri në fund. Por ka pasur edhe të afërm që qëndronin pranë konkurrentëve, jo vetëm familjarë, të cilët të ftuar në studio theksuan se ishte një rrugëtim i bukur me suksese të arritura prej të gjithëve, mbi të gjitha për 4 finalistët, që kanë marrë pas edhe miqësinë dhe afrimitetin me njëri-tjetrin.

Një mesazh të rëndësishëm për të gjithë bashkëmoshatarët e saj ka dhënë edhe Albina, si një prej konkurrenteve më të vogla në moshë gjatë gjithë edicionit por dhe mes 4 finalistëve, teksa ka thënë se “nuk duhet të mendojnë se nuk munden të arrijnë atë që dëshirojnë, por duhet të punojnë fort për të realizuar ëndrrat. Ashtu siç kam guxuar unë, mundesha apo jo, e që ia dola të kem sukses, ashtu duhet të bëjnë edhe të talentuarit e tjerë. Për mua kjo ishte një eksperiencë e parë dhe që s’mundem ta harroj kurrë”.

Top Channel