Basha: Media të jetë e pavarur nga politika dhe krimi

05/01/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, me rastin e 24-vjetorit të krijimit të gazetës “Rilindja Demokratike”, i ka apeluar medias shqiptare që të punojë e pavarur.

Kjo, pasi sipas tij fraksione të krimit të organizuar dhe qeverisë po mundohen të kapin institucionet mediatike për të imponuar çensurën e tyre ndaj “të vërtetave të hidhura”.

“Ky diskurs synon të identifikojë format e reja, akoma më të sofistikuara, të përpjekjeve për marrjen nën kontroll të mediave nga pushteti ekzekutiv dhe krimi i organizuar, për të vënë nën çensurë të vërtetat e hidhura, të dhimbshme dhe tronditëse të jetës së përditshme të qytetarëve. Për të prodhuar realitete virtuale të një mirëqënieje, sigurie dhe normaliteti inekzistent për shumicën dërrmuese të qytetarëve. Për të frenuar e mundësisht ndalur për hesap të qeverisë shpirtin e protestës dhe revoltës qytetare kundër gënjeshtrave, mashtrimit dhe përkeqësimit të gjendjes për shkak të politikave të qeverisë. Ky në fakt është anti-misioni i medias në demokraci. Misioni i saj fisnik ka qenë dhe është të mbështesë çlirimin e kundërshtimit, të jetë në anën e publikut përballë qeverisë. Mision, që media e lirë shqiptare e ka kryer shpesh herë në momentet më kyçe”, deklaroi Basha.

Top Channel