Grekët kanë shprehur shqetësimin e tyre orët e fundit, duke akuzuar qeverinë gjermane se po përpiqet të alarmojë votuesit para zgjedhjeve të parakohshme të 25 janarit, duke i paralajmëruar ata për një dalje të mundshme të Greqisë nga eurozona, nëse zgjedhin një qeveri që nuk mbështet reformat e paracaktuara nga huadhënësit.

Sipas një artikulli të revistës “Der Spiegel”, që ka bërë jehonë brenda dhe jashtë Greqisë, Kancelarja Merkel dhe ministri i financave Schauble vlerësojnë se eurozona ka marrë masa të mjaftueshme tashmë, që nga kulmi i krizës së vitit 2012, për të përballuar një “Grexit”, apo një dalje të mundshme të Athinës nga unioni i monedhës së përbashkët europiane.

“Është thjesht një alarm, ndoshta në mënyrë që të na imponojnë përsëri votën tonë. E prisnim që do të mund ta bënin këtë gjë”, është shprehur Nikki Kaloudi, studente.

Në përgjigje të akuzave të qeverisë “Samaras”, si dhe të zërave nga vende të ndryshme të BE-së se radikalët e majtë, kur të vijnë në fuqi nuk do të respektojnë marrëveshjet me huadhënësit dhe do të ndryshojnë politikat shtrënguese, lideri i opozitës Aleksis Tsipras ka ripërsëritur orët e fundit se partia e tij nuk përbën rrezik për vendin.

“Europa nuk rrezikohet nga e majta, por nga politikat e zonjës Merkel. Nga neoliberalizmi dhe pasojat e tij, nga ndarja ekonomike midis veriut dhe jugut”, ka thënë Aleksis Tsipras, udhëheqës i “Syriza”-s.

Ndërsa zëdhënësi i qeverisë gjermane ka deklaruar orët e fundit se synimi i Berlinit ka qenë gjithmonë qëndrueshmëria e vendeve të eurozonës, duke përfshirë këtu edhe Greqinë, kurse BE – nëpërmjet zëdhënësit të KE-së – ka përgënjeshtruar skenarët negativë për Athinën dhe zonën e euros.

“Nëse pyetja juaj ka të bëjë me natyrën e gjerë të eurozonës, neni 140 dhe pika 3 e Traktatit thotë se ‘vendimi që bën një shtet anëtar i unionit të euros është i pakthyeshëm’”, theksoi Margaritis Schinas, zëdhënës i Këshillit të Europës.

Mëngjesin e së hënës, edhe Presidenti francez Hollande ka deklaruar se grekët janë të lirë të zgjedhin fatin e tyre, por ka theksuar se qeveria që do të vijë duhet të respektojë marrëveshjet. Gjithsesi, bursa greke e ka filluar vitin 2015 me një rënie të ndjeshme prej 5.6 pikësh, ndërsa klima negative ka mbizotëruar edhe te bursat europiane.

Top Channel