Një i vrarë dhe 3 të plagosur në dy atentate,mes tyre edhe Emiljano Shullazi

05/01/2015 00:00

Dy atentate njëri pas tjetrit ndodhen në kryeqytet mbrëmjen e së hënës, ku mbeti i vrarë një person, ndërsa tre të tjerë u plagosën.

Mes të plagosurve ndodhen efektivi i policisë Roland Meta, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën, si edhe dy personazhe të njohur të botës së krimit në kryeqytet, Emiljano Shullazi dhe Pajtim Serjani.

Atentati i parë u regjistrua te “Rruga e Kavajës”, ku në rrethana ende të paqarta, mbeti i vrarë, Arjanit Sterjo 42 vjeç. Pak metra më tej, nga vendi ku policia gjeti kufomën, u gjetën të plagosur me armë zjarri edhe efektivi i policisë Roland Meta, si edhe Pajtim Serjani. Te dy janë dërguar në spital, ku janë jashtë rrezikut për jetën.

Policia pret t’i marrë të dy personat në pyetje për të zbardhur dinamikën e kësaj ngjarjeje.

Dëshmitarë okularë i thanë policisë se viktima Arjanit Sterjo dhe i plagosuri Serjani kanë shkëmbyer fjalë më parë me njëri tjetrin. Ende nuk dihet roli i policit, Meta në këtë ngjarje.

Në të njëjtën kohë në rrugën e Rinasit i kanë qëlluar me breshëri arme automjetit me të cilin lëvizte Emiljano Shullazi. Ai mbeti i plagosur dhe u transportua për në spital, ku është në ruajtje të policisë jo vetëm për të dhënë shpjegime nëse ka identifikuar ndokënd nga autorët.

Policia ka ngritur dyshimet e saj nëse ngjarjet kanë lidhje me njëra tjetrën apo jo. Gjithçka i lidh miqësia e Serjanit me Shullazin. Policia në pistat e saj të hetimit lidh shkëmbimin e zjarrit dhe atentatin si një përplasje mes bandash.

Në të dyja vendngjarjet kanë qenë krerët më të lartë të policisë shqiptare, duke i drejtuar vetë këto hetime.

Policia tha se do të ketë arrestime për të dyja ngjarjet, gjithashtu janë marrë në pyetje edhe dëshmitarë okularë, por pret dëshmitë e të plagosurve për të hedhur më shumë dritë për dy ngjarjet e ndodhura mbrëmjen e së hënës në kryeqytet.

Top Channel