Libani “mbyll” kufirin për sirianët

06/01/2015 00:00

Libani ka ashpërsuar masat për emigrantët sirianë, duke ngadalësuar kështu akoma më shumë fluksin e të shpërngulurve që i largohen konfliktit gati 4-vjeçar.

Përpara, udhëtimi mes dy vendeve fqinje ishte i pakufizuar, por tani sirianëve që duan të hyjnë në Liban, do të kenë nevojë për vizë. Lëvizja është një përpjekje e qartë e autoriteteve libaneze për të frenuar vërshimin e refugjatëve në një kohë kur vendi strehon më shumë se 1 milionë të tillë.

Trazirat në Siri nisën me protestat masive të 2011-tës kundër regjimit të Bashar al-Assad-it e një vit më vonë, vendi u zhyt në luftë civile. Problemin e refugjatëve e rendoi akoma më shumë aktivizimi i ekstremistëve të dhunshëm të Shtetit Islamik.

 Zyrtarët libanezë thonë se është e pamundur të strehojnë më shumë sirianë, pasi aktualisht ata kanë arritur në 1.5 milionë, rreth 1/4 e të gjithë popullsisë së Libanit. “Ne kemi strehuar një numër mjaft të madh refugjatësh, nuk kemi më kapacitete të nevojshme”, tha ministri i Brendshëm libanez.

Top Channel