Zjarre masive në Australi

06/01/2015 00:00

Temperaturat në rritje dhe erërat e forta po ushqejnë një zjarr masiv që ka shpërthyer në jug të Australisë.

Më shume se 30 shtëpi mendohet të jenë shkatërruar deri tani prej flakëve në të gjithë rajonin kodrinor prapa qytetit të Adelaides.

Zjarri ka nisur që prej së premtes e pavarësisht angazhimit të mbi 500 zjarrfikësve, ende nuk është vënë nën kontroll. Për zyrtarët, ky është zjarri më i madh në zonë që prej incidentit të ngjashëm të 1983-shit, i cili mori 75 jetë njerëzish.

Termometri sot në Adeilaide shënonte 34 gradë celsius, ndërsa të mërkurën parashikohet të shkojë në 38 grade.

Ndërkohë e kundërta po ndodh në anën tjetër të botës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të goditen nga një i ftohtë i acartë, ku në disa pjesë të Minnesotas temperatura më e lartë pritet të shënojë -17 gradë celsius.

“Jemi duke u përgatitur të kujdesemi për rreth 50 milionë njerëz në 24 shtete të ndryshme, të cilët do të përballen me temperaturat më të ulta përgjatë disa ditëve në vijim, acar që ndoshta nuk është parë prej kohësh”, thotë meteorologu i CNN, Karen Maginnis.

Top Channel