“AirAsia”, zgjerohet zona e kërkimeve në Indonezi

06/01/2015 00:00

Autoritetet indoneziane kanë zgjeruar zonën e operacioneve teksa kërkimet për avionin e rrëzuar të “AirAsia” vazhdojnë.

Fluturimi nga Surabaja e indonezisë për në Singapor u rrëzua në det më 28 dhjetor dhe që prej atëherë janë rekuperuar 37 trupa nga 162 persona që ndodheshin në bord.

Autoritetet besojnë se mund të kenë lokalizuar bishtin e avionit, ku ndodhen dhe kutitë e zeza, si dhe pjesë nga depozita e karburantit.

Por moti i keq ka penguar vazhdimisht përpjekjet për të lokalizuar dhe identifikuar copëzat e avionit dhe për t’i nxjerrë ato në sipërfaqe.

Ende nuk dihet se çfarë shkaktoi rrëzimin e avionit dhe pavarësisht operacioneve të gjera të kërkimit, pjesa kryesore e objektit nuk është gjetur ende.

Duke folur në Xhakarta ditën e martë, kreu i agjencisë indoneziane të kërkim-shpëtimit, Hanry Bambang Soelistyo tha se ekipet janë të angazhuara intensivisht në zonën e shpallur si prioritare.

“Moti është përmirësuar, kështu që pajisjet nënujore janë vendosur, ndërsa polumbarët kanë qenë në gjendje të vazhdojnë operacionet e tyre”, tha zyrtari.

Por një kolonel i forcave ajrore paralajmëroi se, pavarësisht se moti paraqitet shumë i mirë, ai mund të përkeqësohet sërish më vonë gjatë ditës.

Dhjetëra anije dhe aeroplanmbajtëse janë përfshirë në operacione, të ndihmuara nga anije kineze dhe amerikane që i janë bashkuar misionit këtë të martë.

Në fokus është një zonë e detit prej rreth 90 miljesh detare larg lokalitetit Borneo, ku objekte të mëdha që mund t’i përkasin avionit janë zbuluar në ujëra të cekëta.

Top Channel