Moti i keq, ndërpritet mësimi në Librazhd e fshatra

06/01/2015 00:00

Moti i ftohtë me dëborë dhe ngrica ka bërë që të pezullohet mësimi në shumë shkolla të qarkut të Elbasanit.

Zyrtarët përgjegjës bëjnë të ditur se konkretisht procesi mësimor është ndërprerë në Librazh dhe në një sërë fshatrash përreth, si pasojë e bllokimit të rrugëve.

Fshatrat e bllokuar janë Dritaj Zdrajsh, Ballgjin, Mexix, Gurakuq, Kosten, etj. Mijëra banorë të komunave të thella të Librazhdit vazhdojnë prej më shumë se një jave të jenë të bllokuar dhe në errësirë për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Kryetari i komunës Orenjë ka dhënë të martën alarmin se po humbet kontaktet me banorët e fshatrave, pasi akulli dhe ngrica kanë dëmtuar linjat telefonike, duke i nxjerrë ato jashtë përdorimit.

Reshjet e mëdha të borës dhe temperaturat e ulëta  të ditëve të fundit kanë shkaktuar telashe të mëdha për banorët e fshatit Gjegjan të Kukësit.

Prej rreth dhjetë ditësh ata janë të izoluar si pasojë e bllokimit të rrugës kryesore që lidh fshatin me qytetin. Të gjitha shtëpitë e fshatit nuk kanë asnjë mundësi lëvizjeje edhe përkundër kërkesave të shumta të drejtuara në adresë të pushtetit lokal për hapjen e rrugës.

Ata thonë se përveç bllokimit të rrugës kanë probleme edhe dhe me emergjencat shëndetësore dhe ujin e pijshëm. Gjatë këtyre ditëve vetë banorët janë përpjekur të zhbllokojnë rrugët, por duket se nuk ja kanë dalë të bëjnë asgjë.

Top Channel