Statistikat, daljet nga porti i Durrësit kalojnë hyrjet

06/01/2015 00:00

Lëvizjet e qytetarëve nga Durrësi në drejtim të vendeve të BE-së me tragetet e linjave detare janë më të shumta se hyrjet e tyre në vend.

Sipas statistikave të Autoritetit Portual, në vitin 2014 kanë hyrë në Shqipëri nga Durresi 369 mijë e 799 udhëtarë, ndërsa 394 mijë e 393 udhëtarë kanë dalë nga porti në drejtim të Italisë.

Liberalizimi i vizave disa vite më parë e ka përmbysur në mënyrë progresive këtë raport në favor të daljeve nga vendi përmes kësaj pike kufitare.

Statistikat tregojnë gjithashtu se, më shumë udhëtarë e mallra kanë lëvizur me tragete mes dy brigjeve të Adriatikut.

Kështu, gjatë periudhës 12-mujore të vitit që lamë pas, tragetet që lidhin Durrësin me portet italiane janë shfrytëzuar nga 774.682 udhëtarë, ose 8% më shumë se në periudhën pararendëse.

Edhe kamionët me mallra kanë shënuar një rritje prej 3%, ndërsa është regjistruar rënie në numrin e autoveturave dhe trajlerëve. Në 365 ditë të vitit 2014 tragetet kanë kryer 1.133 lundrime, ose vetëm 8 më shumë sesa numri i regjistruar gjatë vitit 2013.

Tragetet e linjave detare nga Durrësi drejt porteve italiane të Barit, Brindizit, Ankonës dhe Triestes kanë transportuar një sasi të përgjithshme prej mbi 731 mijë tonë mallrash, ose 21 mijë tonë më shumë se në 2013-n.

Top Channel