Dobësimi i euros, kush fiton e kush humbet

06/01/2015 00:00

Me rënien e euros në nivelin më të ulët të 9 viteve të fundit kundrejt dollarit amerikan, thotë analisti Bob Pisani për CNN, Europa është më e dobët.

Nevralgjike mbetet situata sidomos në tregun grek të aksioneve, në tkurrje me gati 5%, ndërsa çmimi i bonove qeveritare të shtetit helen u rrit pas raporteve se Gjermania mund ta lejojë daljen e Athinës nga Eurozona. Në rënie me gati 2% ishin dhe tregjet në Spanjë e Itali.

Dobësimi i monedhës së përbashkët i vjen për shtat eksportuesve të kontinentit të vjetër dhe bankierëve. Sa për importuesit dhe pushuesit, ata dalin me humbje nga ky zhvlerësim.

Marsin e vitit të kaluar, 1 euro këmbehej me 1,39 dollarë, ndërsa sot merret për 1.19. Monedha europiane është në nivelin më të ulët që prej 2006-s, por duhet thënë se një zhvillim i tillë nuk ishte krejtësisht i papritur.

Në kohën kur Rezerva Federale në Shtetet e Bashkuara lëviz drejt rritjes së interesit bankar, BQE-ja është duke ndjekur kursin e liberalizimit të mëtejshëm të politikës fiskale.

Në SHBA konjuktura ka marrë vrull të qartë, thotë “Deutsche Welle”, ndërsa në Eurozonë rritja ekonomike vazhdon të jetë e moderuar.

Euro më i lirë i bën më joshëse blerjet nga Europa dhe kombet eksportuese si Gjermania dalin me përfitim. Sipërmarrjet europiane bëhen më konkurruese përballë atyre japoneze, ku vitet e fundit ka ndodhur një zhvlerësim i madh i euros.

Euron e dobët e dëshiron dhe BQE-ja, që duket e gatshme për të blerë hua shtetërore në stil të gjerë. Por të humbur në këtë rast janë ata që udhëtojnë në SHBA; produktet që importohen nga jashte Europës, si për shembull kompjuterët nga Azia mund të shtrenjtohen, e investitorët e huaj do të kenë më shumë humbje se fitim me investimet e tyre në Eurozonë.

Ekspertët paralajmërojnë se vazhdimi i zhvlerësimit të euros mund të shkaktojë një krizë të re të valutës për faktin e thjeshtë se besimi tek monedha e përbashkët do të humbasë.

Top Channel