Policia zbardh vrasjen: Viktima do ekzekutonte katër persona

06/01/2015 00:00

Policia zbardhi serinë e atentateve të ndodhura të hënën në mbrëmje në Tiranë. Sipas policisë, Arianit Sterio, 42-vjeçar, i cili mbeti i vrarë, ka tentuar të vrasë katër persona, të cilët njihen si miqtë e Emiliano Shullazit.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, Sterio ka pasur si pikësynim të atentatit Pajtim Serjanin, 32 vjeç, të cilin e ka plagosur në këmbë, si dhe dy miqtë e tij: Denis Ramani dhe Ditmir Reci.

Në rrethin e zjarrit të krijuar nga viktima Sterio u përfshi edhe punonjësi i njësisë operacionale speciale, Roland Meta. Gjatë shkëmbimit të zjarrit rezultoi se nga qitja e armës, të cilën Meta e mbante për shkak të detyrës, ka mbetur i vdekur atentatori Sterio. Punonjësi i policisë ka marrë dy plagë të rënda në trup dhe ndodhet i plagosur rëndë në Spitalin Universitar të Tiranës.

Policia nuk sqaroi më shumë detaje për rolin e policit Meta në këtë histori, por ka ngritur mbi të akuzën e vrasjes me dashje dhe njofton arrestimin e tij në flagrancë.

Në deklaratë thuhet se “nga një analizë e hollësishme e bërë, lidhur me veprimet dhe mosveprimet e punonjësit të policisë, u bë dhe arrestimi. Nga të dhënat hetimore rezulton se, punonjësi i Policisë Meta ishte në shoqërinë e tre personave, që ishin shënjestra e atentatit. I plagosur, ai ka ndjekur atentatorin dhe e ka vrarë. Në këtë vendngjarje, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 gëzhojat e një arme të kalibrit 9 mm, pistoleta Bereta me të cilën u krye vrasja, si dhe tre gëzhojat e kalibrit 7.62 mm të qitura nga një pistoletë m-54”.

Sterio, viktima e natës së mbrëmshme, u hetua nga policia dhe rezulton të jetë vrasës me pagesë. Për shumë vite, ai rezulton të ketë qenë emigrant dhe është kthyer në Shqipëri para pak kohësh. Të dhënat tregojnë se Sterio ka dashur të vrasë të gjithë të shoqëruarit me shtetasin Pajtim Serjani.

Policia ka hetuar edhe mbi atentatin që iu bë Emiljano Shullazit dhe shokut të tij, Gilmando Danit, në afërsi të mbikalimit të Kasharit. Pasi është këqyrur vendi i ngjarjes ku ndodhi atentati, janë mbledhur të gjitha provat e gjetura aty. Polica nuk bëri me dije se sa armë janë përdorur në atentatin ndaj Shullazit. Golfi 4, makina me të cilën ata udhëtonin, ka marrë një numër të madh plumbash. Dosja për këtë atentat i kaloi Prokurorisë, nën akuzën e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese.

Policia nuk bën të ditur nëse ka qëlluar edhe Shullazi me armë apo jo. Nga gëzhojat pritet të dalë nëse është vetëm një armë, që ka qëlluar mbi makinën, apo jo. Automjeti nuk ishte në pronësi të Shullazit. A kanë lidhje me njëra-tjetrën këto ngjarje, ky është një tjetër hetim intesiv i policisë. Mendohet se në plan ka qenë ekzekutimi i grupit të Shullazit. Ai u qëllua dhjetë minuta përpara se të ndodhte ngjarja në rrugën e Kavajës.

Shullazi, pasi doli nga spitali, u rimor edhe njëherë tjetër në pyetje në Policinë e Tiranës dhe më pas u la i lirë. Por, Prokuroria i ka ndarë dosjet në dy. Hetimet për të dyja atentatet do të drejtohen nga prokurorë të veçantë, deri sa të provohet ndonjë lidhje mes të dyja ngjarjeve.

Top Channel