Nju Jork, De Blasio kritikon policët për shpërfilljen

06/01/2015 00:00

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut u ka tërhequr vëmendjen qindra policëve të qytetit që i kthyen atij shpinën teksa fliste në varrimin e dy oficerëve të vrarë.

Bill de Blasio deklaroi se shpërfillja publike e agjentëve ishte fyese për familjet e dy të ndjerëve dhe për gjithë qytetin.

Oficerët Wenjian Liu dhe Rafael Ramos u qëlluan për vdekje muajin e kaluar nga një person i armatosur në shenjë irritimi ndaj uniformave blu për shkak të vrasjeve të civilëve me ngjyrë.

Shumë policë nuk i mirëpritën deklaratat e kryebashkiakut kur ai shprehu simpati për protestat kundër policisë në muajt e fundit.

“Ata individë që kryen disa veprime në dy javët e fundit treguan mungesë respekti ndaj familjeve të të ndjerëve. Kjo është baza e gjithë kësaj”, deklaroi De Blasio.

“Nuk e kuptoj përse dikush do të bënte një gjë të tillë në këtë kontekst”, u tha ai gazetarëve teksa po qëndronte në zyrat qendrore të policisë.

Qytetari i parë i “Mollës së Madhe” hodhi poshtë sugjerimet se policia ka punuar që të sundojë me dorë të hekurt menjëherë pas vrasjes së dy oficerëve.

Ai e cilësoi rënien e supozuar të arrestimeve dhe paraqitjeve në gjykatë për krime të lehta si një keqinformim. “Nuk mendoj se vetëm pak ditë lajthitje mund të reflektojnë atë që është bërë në një vit të tërë”, u përgjigj kryebashkiaku.

Deklaratat e tij u mbështetën nga komisioneri i policisë së Nju Jorkut, William Bratton, i cili tha se oficerët që kthyen shpinën kanë turpëruar vetëveten.

“Thjesht idenë për të bërë një veprim të tillë në një funeral ku po nderohen dy policë të vrarë nuk e kuptoj”, tha zoti Bratton.

Top Channel