Gardisti përfundon në gjykatë, premtonte punë në këmbim të parave

06/01/2015 00:00

Prokuroria e Korçës dërgon për gjykim kërkesën ndaj shtetasit Andrea
Halili, i akuzuar për “ushtrim ndikimi të paligjshëm” me qëllim
përfitimi.

Ky shtetas, në kohën e kryerjes së veprës penale, ka qenë punonjës i Gardës së Republikës, i ngarkuar me punë si shoqërues i Ministres së Arsimit dhe, duke përfituar nga ky post, u ka premtuar dy shtetasve nga Korça se do të ndikonte pranë zyrtarëve të Drejtorisë Arsimore Korçë dhe Elbasan për të sistemuar familjarë të tyre në pozicione pune që janë në varësi të këtyre agjencive, në këmbim të shumave të parave që arrinin në vlerën e 3000 eurove.

Ndaj të pandehurit kanë bërë kallëzim dy shtetas, të cilët pasi i kishin dhënë paratë, nuk kishin arritur të punësonin familjarët e tyre. Sipas kallëzuesve, ata kanë zhvilluar bisedë me të pandehurin në fund të vitit 2013 dhe fillim të vitit 2014 për të krijuar mundësinë e sistemit të familjarëve të tyre në punë. Për këtë shërbim që do t’u bënte i pandehuri, ata kanë paguar edhe shumat e parave. Por, duke qenë se i pandehuri nuk ka arritur t’u sigurojë vend pune, dy shtetasit nga Korça kanë bërë kallëzim ndaj tij në fillim të tetorit 2014.

I pandehuri Andrea Halili, i cili ka qenë punonjës i Gardës së Republikës në kohën e kryerjes së veprës penale, është pezulluar nga detyra pasi ka nisur hetimi i Prokurorisë së Korçës dhe më pas është pushuar nga puna në Gardë.

Top Channel