Rama: Rrjeti energjetik, i amortizuar

06/01/2015 00:00

Postimin e parë në Facebook për 2015-ën, Kryeministri Edi Rama ia ka
dedikuar energjisë elektrike për të cilën thotë se ta paguash atë sot do
të thotë të investosh për nesër, për veten dhe për vendin.

‘Kush nuk ka lidhur ende marrëveshje,- thotë Rama – të mos e humbasë ofertën lehtësuese deri në 28 shkurt’.

Më tej në koment shefi i Qeverisë shqiptare ndalet në problemet e ditëve të fundit shfaqur me ndërprejet e energjisë për të cilat thotë: “E pamë të gjithë se si moti i rënduar i fundvitit nxorri në dukje edhe njëherë, kudo nëpër Shqipëri, gjendjen e mjerë ku është katandisur në njëzet vjet sistemi i shpërndarjes së energjisë. Si mund të ishte ndryshe pas njëzet vjetësh vjedhje pafund dhe investime me pikatore”.

Ligjshmërinë në këtë sektor Rama e sheh si të vetmen mënyrë për ta ndryshuar situatën. Sipas tij, ‘duke u kthyer në rrugën e ligjit, duke ulur vjedhjet, rritur arkëtimet dhe nisur investimet reale në rrjet, kemi filluar një ndryshim vërtet historik. E sa më shpejt t’i japim fund vjedhjes dhe mospagimit korrekt të energjisë, aq më parë do të kemi jo vetëm një rrjet shpërndarjeje të rimëkëmbur, po edhe mundësi të reja për investime në sektorët e tjerë’.

Dhe nëse kjo arrihet, sipas Kryeministrit do të kemi më shumë për arsimin, shëndetësinë e me radhë, me paratë që deri sot kanë shkuar për të mbuluar gropën e hajdutërisë çmendurake që zgjat prej dy dekadash – Jo pak, 150 milionë Euro çdo vit.

Rama e mbyll komentin me fjalën: Kurajo!

Top Channel