Kosovë, ministri serb uron Krishtlindjen Ortodokse

06/01/2015 00:00

Në një urim elektronik që fillon në gjuhen serbe, ministri i Pushtetit Lokal në Kosovë, Ljubomir Mariç ka uruar të gjithë besimtarët të cilët Krishtlindjen e festojnë me kalendarin Julian.

“Të gjithë besimtarëve, të cilët e festojnë sipas kalendarit Julian ditën e lindjes së Krishtit, u uroj gëzuar Krishtlindjen, me dëshirën që këtë festë ta kalojnë në paqe, harmoni dhe dashuri, të rrethuar nga njerëzit e tyre të dashur. Me përshëndetjen e Krishtlindjeve: Paqja e Perëndisë, Krishti u lind”, thuhet në urimin e ministrit të shpërndare në tre gjuhë: serbisht, shqip dhe anglisht.

Ndërkohë, ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale në qeverinë serbe, Aleksandar Vulin do të vizitojë gjatë së martës Kosovën, pikërisht me rastin e festës më të madhe të serbëve: Krishtlindjen Ortodokse.

Në orët e vona ai do të qëndrojë në manastirin e Zoqishtës, në komunën e Rahovecit, ku së bashku me ministrin për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jablanoviç, do të marrin pjesë në natën tradicionale të zjarreve.

Me këtë rast, dy ministrat do t’iu drejtohen edhe mediave që do të jenë të pranishme në këtë eveniment.

Top Channel