Gjermani, kapen 11 emigrantë ilegalë nga Kosova

06/01/2015 00:00

Policia gjermane ka ndaluar në qytetin Bajreuth 11 emigrantë ilegalë që vinin nga Kosova dhe ka arrestuar tre trafikantët që po kryenin transportin e tyre.

Sipas raportimeve të mediave lokale, bëhet fjalë për 7 të rritur dhe 4 fëmijë, të cilët janë dërguar në qendrën për azilkërkues, ndërsa trafikantët janë çuar në qeli.

Sipas burimeve, agjentët gjermanë kanë ndaluar fillimisht për verifikim automjetin me targa hungareze dhe pas identifikimit të trafikantëve, shtetas hungarezë të moshave nga 25 në 39 vjeç, kanë patur dyshime dhe kanë kryer një kontroll të përgjithshëm duke gjetur edhe klandestinët.

Nga hetimet paraprake të autoriteteve ka rezultuar se emigrantët kosovarë, burra dhe gra të moshave nga 26 në 50 vjeç, si dhe fëmijë nga 2 në 9 vjeç, kishin ndjekur itinerarin nga Republika Çeke në Hungari dhe më pas në Gjermani.

Burimet shtojnë më tej se ngjarja i ka kaluar për hetim të mëtejshëm policisë kriminale të qytetit. Tre trafikantët, që tashmë ndodhen në paraburgim, do të gjykohen nën akuzën e trafikut të qënieve njerëzore, ndërsa 7 kosovarët e rritur do të përgjigjen për akuzën e hyrjes ilegale në vend.

Top Channel