Tiranë, disa kopshte e çerdhe pa ngrohje. Kaldajat pësojnë defekte

06/01/2015 00:00

Kur termometri shënon nën 0 gradë edhe në Tiranë, në disa kopshte dhe çerdhe nuk ka funksionuar ngrohja. Edukatoret e kopshteve, me kontributet e prindërve kanë siguruar ndonjë mjet ngrohës me energji elektrike, që nuk arrin të ngrohë dot të gjithë ambientin.

Edukatoret mundohen t’i mbajnë veshur me xhupa dhe doreza vogëlushët.

“Në grupin tonë ngrohja mundësohet me energji elektrike, kemi kondicioner dhe kalorifer. Ndaj është një temperaturë normale, pavarësisht se disa fëmijëve u rrijnë duart e ftohta”, thotë një edukatore.

“Në këto kushte është e pamundur të thuash që fëmijët të mos kenë ftohtë”, shprehet një tjetër edukatore.

Prindërit shprehen të shqetësuar për këtë situatë dhe kërkojnë që Bashkia të ndërhyjë për zgjidhjen e menjëhershme.

“Duam që fëmijët të mos jenë në këto kushte që janë aktualisht, sepse po të flasim për dhomat e gjumit, temperatura atje është nën zero. Është shumë ftohtë për ta, fëmija im është vetëm 5 vjeç, imagjinojeni vetë për fëmijët e tjerë që janë 3 vjeç. Gjendja është katastrofale”, thotë Altin Zeqaj, prind i një prej fëmijëve.

Ndërkohë, inxhinierë të ndërmarrjes numër 3 të Bashkisë kanë punuar për vënien në funksion të kaldajave, ku sipas tyre vetëm në 3 kopshte janë sinjalizuar për defekte.

“Rënia e menjëhershme e temperaturave ka bërë që një sërë institucionesh shkollore e parashkollore të përballen me defekte momentale. Kemi marrë masat që në mëngjes, sapo jemi njoftuar për defektin, për të zëvendësuar pajisjen e dëmtuar, jo vetëm te ky objekt ku jemi aktualisht, por edhe në 2-3 të tjera. Pasi i kemi zëvendësuar, çdo gjë është në gjendje pune dhe nuk besoj të kemi ndonjë problem. Është e vërtetë që ndërrimi i kaldajave bëhet në fillim të sezonit, por ato janë makineri dhe defektet ndodhin papritur. Deri më tani jemi njoftuar nga 3-4 kopshte për mosfunksionimin e kaldajave, por pas ditës së sotme nuk do të kemi probleme”, thotë Alfons Muça, drejtor i ndërmarrjes numër 3.

Top Channel