Nafta, ekspertët: Rënia e çmimit nxit ekonominë, ndihmon konsumatorët

06/01/2015 00:00

Ekspertët mendojnë se rënia e çmimit të naftës do të nxisë rritjen e prodhimit në një sërë sektorësh, duke ndihmuar ekonominë.

“Edhe në bujqësi, një pjesë e punimeve nuk kryhen nga kosto dhe nga çmimi i lartë i naftës, po kështu në peshkim apo dhe në shumë sektorë të tjerë të industrisë. Në nivelin që jemi sot, ku një pjesë e bizneseve deklarojnë se punojnë nën kapacitete për arsye edhe të kostove të larta që kanë për prodhimet e tyre, ky mund të jetë një faktor pozitiv, që të ndikojë në një rritje ekonomike më të madhe”, u shpreh Ardian Civici, ekspert i ekonomisë.

Në tregun e brendshëm, çmimi i naftës është ulur me rreth 10 për qind krahasuar me disa muaj më parë. Selami Xhepa llogarit se, edhe me këtë rënie, efekti në rritjen ekonomike është i konsiderueshëm.

“Studimet e ekspertëve, që e njohin çështjen e tregjeve të naftës në përgjithësi, kanë dalë në konkluzionin se edhe nëse do të bëhet fjalë për rënien e çmimit me 20%, ose në 20 dollarë për fuçi, sigurisht që efekti i saj pozitiv në rritjen ekonomike do të ishte me të paktën 0.25 deri në 0.5 pikë përqindje. Gjë që do të thotë se edhe për ekonominë shqiptare mendoj se masa e ndikimit neto mund të ishte në paramentra të tillë, në rritjen e ekonomisë së brendshme”, deklaron Selami Xhepa, ekspert ekonomie.

Në tregun ndërkombëtar, çmimi i naftës vazhdon të bjerë me ritme të forta. Sipas Xhepës, efekti në ekonominë shqiptare do ishte shumë më i fortë, nëse nuk do zbutej nga dy faktorë të tjerë.

“Së pari, reduktimi i saj ndikon në rënien e të ardhurave të buxhetit, duke pasur parasysh se akciza dhe një pjesë e rëndësishme e të ardhurave të buxhetit vilen nga mallrat energjitike, kështu që kjo e pakëson masën e kontributit në rritjen e ekonomisë. Së dyti, duke pasur parasysh edhe zhvillimin që kemi pasur kohët e fundit në tregjet valutore, ky është një tjetër faktor që e zbut masën e ndikimit të fortë pozitiv të rënies së çmimit të naftës”, thekson Selami Xhepa.

Por, rënia e çmimit nuk ka vetëm fitues. Në zonat naftëmbajtëse të vendit, qindra punonjës kanë humbur punën, pasi kompanitë koncesionare po shkurtojnë kostot dhe investimet. Megjithatë, sipas Civicit, për pjesën më të madhe të familjeve efekti është pozitiv, pasi lehtëson koston e jetesës.

“Mendoj se, duke filluar nga përdorimet më të thjeshta, në transportin e zakonshëm ditor të bizneseve, të individëve, ose përdorimit për ngrohje, apo për elementë të tjerë të prodhimit të energjisë për të cilin ne e përdorim naftën, kjo do të jetë një ulje e kostos dhe e shpenzimeve dhe natyrisht do të krijojë edhe para të lira si për bizneset edhe për individët, që do të mund të përdoren në aspekte të tjera”, shpjegon Ardian Civici.

Rënia e çmimit të naftës në treg mund të kishte qenë mbi dy herë më e madhe, se niveli aktual prej 20 lekë për litër, por një pjesë e saj u devijua në buxhet, përmes rritjes së taksave nga qeveria.

Top Channel