Lagarde: Nuk do t’i lë gratë të “gjunjëzohen”

06/01/2015 00:00

“Kur përballemi me një situatë tepër të vështirë, thirret gruaja të bëjë punën, apo të zgjidhë problemin”. E pikërisht këtë po bën edhe Christine Lagarde…

Duke udhëhequr Fondin Monetar Ndërkombëtar që prej 2011-s, në një kohë kur organizata ishte në qendër të skandalit në lidhje me ish-drejtorin menaxherial, ashtu sikurse u prek edhe nga kriza globale ekonomike, ajo di mjaftueshëm mirë se si t’i ndreqë gabimet dhe të gjejë zgjidhje, veçanërisht në botën e financave.

Lagarde ka qenë prej një kohe të gjatë udhëheqëse në profesionin e saj, teksa ka qenë e para femër që kryesonte firmën ligjore globale “Baker & Mckenzie”, ashtu sikurse dhe e para femër që mbante postin e ministres së Financave të Francës. Ajo është kthyer tashmë në të parën femër që drejton FMN-në, ndërkohë që është në kontroll të ekonomisë globale përgjatë një periudhe tepër të zgjatur të masave shtrënguese.

“Është një tipas i përbashkët i të gjitha grave, të jenë të shqetësuara për suksesin kolektiv më shumë se sa për vizionin, respektin dhe suksesin vetjak”, thotë ajo.

Por, duke qenë nënë e dy fëmijëve, ajo është plotësisht e ndërgjegjshme për ecurinë e saj, teksa gjithmonë ka ndjekur vetëm gjurmët e burrave dhe këtë gjë ia kujtojnë përditë portretet e drejtorëve të mëparshëm, që varen mureve të dhomës së Bordit të FMN-së.

“Shpresoj që të ketë në të ardhmen edhe shumë portrete femrash”, shton më tej Lagarde. “Ndihem keq në fakt kur shoh përreth tavolinës, fatkeqësisht, pasi mes 24 personave në tryezën e rrumbullakët ekziston vetëm një femër tjetër në rolin e drejtores ekzekutive”.

Lagarde është shpallur gruaja e pestë më e fuqishme përgjatë vitit 2014 sipas “Forbes”-it, ndërsa po shfrytëzon pushtetin e pozicionit aktual të saj për të tërhequr më shumë vëmendjen ndaj çështjeve që shqetësojnë më së shumti gratë, sidomos në fuqinë punëtore globale.

“Jam drejtore menaxheriale e FMN-së dhe zëri ynë dëgjohet prej ligjbërësve të vendeve të tjera”, thotë Lagarde, e cila po ndihmon në koordinimin e kërkimeve empirike dhe analizave për të ofruar prova të mjaftueshme të kontributit të jashtëzakonshëm të grave në ekonominë botërore.

Si një avokate e zonja, ajo nuk e ka aspak problem të kuptojë se i nevojiten fakte për t’i bërë njerëzit ta dëgjojnë edhe më shumë.

Por, përgjegjësia e të qenit e para grua në pozicionin aktual peshon rëndë mbi supet e Lagarde. “Nuk dua që t’i lë koleget e mia femra, anembanë globit, të përulen e të nënshtrohen”, thotë ajo. “Nuk dua që ato të kthehen nga mua dhe të më thonë ‘pse është bërë kjo rrëmujë prej teje’?”.

Lagarde nuk lejon që kjo fazë e jetës së saj të rezultojë në një barrë, sa i përket përgjegjësive të saj, gjithsesi, pavarësisht se është e ndërgjegjshme se duhet ende shumë punë për të bërë, na siguron se do të jetë e suksesshme. Pasi për këtë qëllim është në postin që mban…

Top Channel