Koncesionet e reja, Ahmetaj fton sipërmarrësit për të garuar në 65 projekte

06/01/2015 00:00

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj ftoi sipërmarrës vendas e
të huaj të paraqesin projekte konkrete për t’u bërë pjesë e
partneritetit publik-privat, në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

“Janë rreth 65 projekte sjella nga ministritë e linjës dhe institucionet, me një vlerë totale, në vite, prej 375.6 miliardë lekë, si burime në mbështetje të drejtpërdrejtë të rritjes ekonomike”, tha ministri.

Ahmetaj thotë se prej muajsh po punohet për të rikonceptuar procedurat e koncensioneve duke përfshirë shërbime, që deri tani siç shprehet ministri kanë qenë kosto për financat publike në sektorë si bujqësia, shëndetësia, turizmi apo transporti.

“Dy projekte që janë tashmë duke u përpunuar si kontraktime publik-privat; një është ndërtimi i segmentit të rrugës së Arbrit, që besoj do të jetë risi e fund dimrit, pra besoj në fund të shkurtit do të jetë në tenderim dhe projekti tjetër është ai i mirëmbajtjes së rrugës Durrës-Morinë”, tha ministri.

Ahmetaj thotë se përmes këtyre projekteve, përveç se ekonomisë i injektohet një shumë prej mbi 370 miliardë lekësh, në të njëjtën kohë financat publike lehtësohen dhe nga rreth 150 miliardë lekë financime, që sipas ministrit, do të shkojnë për projekte të tjera të rëndësishme.

Top Channel