Protestat në Gjermani, çfarë është Pegida?

06/01/2015 00:00

U themelua në Dresden në tetor të vitit të kaluar nga aktivisti Lutz Bachmann dhe është shkurtim për “Patriotische Europaer Gegen die Islamisierung des West”, që do të thotë: “Europianët Patriotë Kundër Islamizimit të Perëndimit”.

Cilësohet si një grup që po mbledh në gjirin e vet të djathtët, që nga konservatorët e deri tek fraksionet neonaziste, pa përjashtuar këtu edhe huliganë të futbollit.

Aktiviteti kryesor i Pegida-s janë protestat në rrugë kundër asaj që e quan “një rritje e rrezikshme e ndikimit të islamit në vendet europiane”.

Pretendon se nuk është raciste, as ksenofobike

Në manifestin prej 19 pikash thotë se kundërshton ekstremizmin dhe bën thirrje që të mbrohet kultura dhe trashëgimia hebraike në Gjermani.

Ish-politikanë, artistë e futbollistë kundër lëvizjes

Ish-kancelarë, politikanë, aktorë, futbollistë, këngëtarë e të tjerë artistë gjermanë kundërshtuan protestat e Pegida-s.

Ish-kancelarët Helmut Schmidt, Gerhard Schroder, ish-futbollisti Oliver Bierhoff, aktorja Karoline Herfurth e shumë emra të tjerë të njohur për publikun gjerman dhe jo vetëm, iu bashkuan listës së 80 personazheve kundër protestave anti-islam që kulmuan në qytetin e Dresdenit.

“Po të kthejmë kokën pas e të shohim historinë tonë, por edhe aktualitetin ekonomik sot, intuita më thotë se Gjermania nuk duhet të dëbojë azil-kërkuesit”, deklaroi ish-kancelari Schmidt.

Shqetësim për këtë lëvizje ka shprehur edhe ish-kancelari Gerhard Shroder së bashku me aktoren Karoline Herfurth dhe prezantuesin televiziv, Thomas Gottschalk.

Ndërkohë, autoritetet gjermane deklaruan se rreth 5 mijë protestuas anti-Pegida bllokuan rrugën e qindra mbështetësve të saj në Berlin. Në Këln ishte e njëjta situatë, rreth 250 kundërshtarë të emigracionit u vunë përballë mijëra mbështetësve të tij, ndërkohë që Katedralja e famshme e qytetit fiku drita në shenjë kundërshtimi ndaj protestave antiemigracion.

Këta të fundit e cilësojnë Pegida-n një lëvizje ksenofobike që po ushqen ekstremistët dhe celulat neonaziste.

Top Channel