Sassuolo kthen Milanin me këmbë në tokë, Napoli fiton me goleadë

06/01/2015 00:00

Pas fitores së bujshme 4-2 në miqësoren e 30 dhjetorit ndaj Real Madrid, Milani merr një goditje të rëndë në ndeshjen e parë të vitit 2015 duke u mundur 1-2 nga Sassuolo në San Siro.

Nuk ndodhte që nga viti 1997 që kuqezinjtë të humbnin ndeshjen e parë të vitit, por skuadra e Di Francescos zhvilloi një ndeshje të madhe dhe mori me meritë tre pikët pasi e pa veten në disavantazh që në minutën e nëntë të takimit, pas golit të Andrea Polit.

Në minutën e 28 Sansone barazoi rezultatin, ndërsa Zaza i dha fitoren miqve duke shënuar golin e dytë në minutën e 68.

Për t’u shënuar edhe debutimi me fanelën e Milanit i Alessio Cercit, i cili luajti 25 minuta.

Ndërkohë, Napoli ka arritur një fitore të thellë në transfertë. Skuadra e drejtuar nga Rafa Benitez ka mundur Cesenën me rezultatin 1-4 dhe i bashkohet Lazios në vendin e tretë të Serisë A me 30 pikë.

Rezultatet e ndeshjeve të tjera të javës së 17:

Chievo-Torino 0-0

Empoli-Verona 0-0

Genoa-Atalanta 2-2

Palermo-Cagliari 5-0

Parma-Fiorentina 1-0

Top Channel