Trafikimi i vajzave, ende plagë e shoqërisë shqiptare

06/01/2015 00:00

“Pasdite në Top Channel” ka risjellë në vëmendjen e të gjithëve një ngjarje të rëndë, që i takon një të shkuare të largët të një gruaje, por që ka lënë gjurmë të pashlyera në jetën e saj. Në intervistën e dhënë për gazetarët e TCH, zonja në fjalë ka përcjellë të gjithë përvojën e rëndë të një fenomeni, që ka ekzistuar disa vite më parë, por që nuk ka shënuar aspak rënie edhe ditët e sotme.

TCH: Ju jeni një prej shumë vajzave shqiptare të trafikuara në fillim të viteve ’90. Si ndodhi?

E trafikuara: Isha në shkollë dhe pas mësimit shkova te një shoqja ime, sepse e kisha rrugës. Nga aty u nisa për në shtëpinë time, por rrugës më del një makinë me katër persona, të cilët më rrëmbejnë.

TCH: Sa ishte ora?

E trafikuara: Ora ishte 10 e mbrëmjes.

TCH: E mban mend makinën apo personat që ishin brenda?

E trafikuara: Ishte një makinë e bardhë, targat e së cilës nuk i kujtoj.

TCH: Sa vjeç ishe?

E trafikuara: 17 vjeç.

TCH: Çfarë ndodhi me ty momentin që të rrëmbyen? Mund të na e përshkruash me detaje?

E trafikuara: Më doli mjeti përpara dhe dy prej personave që gjendeshin brenda dalin e më marrin nxitimthi, më fusin brenda mjetit. Nga aty shkuam në një vend tjetër, ku ndodheshin edhe 4 vajza të tjera për shfrytëzim. Ishte një godinë njëkatëshe, që sot nuk ekziston, pasi është prishur.

TCH: Godina ndodhej pranë zonës ku ti banoje?

E trafikuara: Jo shumë afër. Ishte disi larg shtëpisë sime.

TCH: Në çfarë zone të Shqipërisë: Jug, Shqipëri e Mesme, apo…?

E trafikuara: Ndodhej në Shqipërinë e Mesme, në Myzeqe.

TCH: Çfarë ndodhte në godinën ku të çuan ty, e ku gjete edhe 4 vajzat e tjera?

E trafikuara: Neve na shfrytëzonin seksualisht shumë klientë të tjerë, që na i sillnin ata.

TCH: Pa dëshirën tuaj…?

E trafikuara: Po, pa dëshirën tonë. Edhe pse qanim, ata na rrihnin dhe na thonin se duhet të bënim siç thoshin ata.

TCH: Sa herë në ditë kryenit marrëdhënie? Ti vetë sa herë kryeje marrëdhënie me klientët e ndryshëm?

E trafikuara: 3 ose 4 herë në ditë, varet.

TCH: Si trajtoheshe gjatë asaj kohe? Ushtroheshe dhunë fizike?

E trafikuara: Trajtoheshim shumë keq. Na rrihnin, na linin pa ngrënë dhe kryenin marrëdhënie seksuale.

TCH: Kërcënime për jetën merrje?

E trafikuara: Po.

TCH: Çfarë të thoshin?

E trafikuara: Në fillim na rrinin me thika nëpër duar. Kur ne refuzonim të kryenim marrëdhënie, ata na kërcënonin duke na thënë se do na vrisnin.

TCH: Qëllimi yt i trafikimit, për aq sa ti kuptoje në atë kohë, cili ishte? Për prostitucion?

E trafikuara: I dëgjonim shpesh të flisnin edhe për shfrytëzim seksual, por edhe për të na shitur për organet jetësore.

TCH: Kjo bisedë bëhej në praninë tuaj?

E trafikuara: Jo në praninë tonë, por ne i dëgjonim sepse ndonjëherë e linin hapur derën. Ndërkohë që vinin edhe disa të tjerë më të mëdhenj se ata, që thonin se do të merrnim rrugën për Itali.

TCH: Donin që t’iu merrnin organet dhe t’iua çonin në Itali, apo t’iu çonin edhe juve fizikisht në Itali?

E trafikuara: Jo, të iknim fizikisht atje dhe organet të na merreshin në Itali.

TCH: Ç’ndodhi me vajzat e tjera?

E trafikuara: Dy prej vajzave për fat të keq kanë vdekur, të cilave iu morën edhe organet e brendshme. Kemi dëgjuar që iu kishin marrë zemrën, mushkëritë, në një spital të Italisë.

TCH: Sa kohë qëndrove në këtë shtëpi dhe si arrite të shpëtosh?

E trafikuara: Në atë shtëpi qëndrova rreth 7 javë dhe ishim me fat që u larguam nga ajo, sepse e lanë derën hapur dhe ikën. Morën një telefonatë nga një person tjetër, na lanë neve dhe ikën. Mirëpo dy persona të tjerë, të maskuar që ne të mos i diktonim se kush ishin, erdhën dhe morën dy prej vajzave për t’i shitur.

TCH: Çfarë ndodhi me ty më pas?

E trafikuara: Ika në Itali, ku u njoha me një anglez. Tashmë jam e martuar në Angli, jam nënë e tre fëmijëve, dy vajza e një djalë.

TCH: Sa ka ndikuar kjo histori në jetën, shëndetin, psikologjinë tënde?

E trafikuara: Kam tentuar të vetëvritem katër herë.

TCH: Pse, mendoje se kjo do të të shpëtonte nga barra e vuajtjeve?

E trafikuara: Jo për barrën e vuajtjeve, por më tepër prej opinionit. Babai e nëna nuk më flasin më që kur ndodhi kjo gjë. Edhe pse tani unë kam jetën time, burrin tim, fëmijët e mi.

Top Channel