SHBA, Boehner rizgjidhet në krye të Dhomës, Kongresi i ri “republikan” nis nga puna

06/01/2015 00:00

Republikanët janë duke marrë zyrtarisht kontrollin e të dy dhomave të Kongresit amerikan, për herë të parë që prej 8 vitesh. Në krye të axhendës së republikanëve është miratimi i gazsjellësit “Keystone XL”, projektligji i parë që është prezantuar gjatë së martës.

Ndërkaq, edhe pse u përball me një sfidë të ashpër për kreun e Dhomës së Përfaqësuesve për më tepër mes kundërshtarësh brenda partisë, John Boehner është rizgjedhur për një mandat të tretë si folës. Mes rivalëve të tij ishte përfaqësuesi i Teksasit, Louis Gohmert, i cili ishte shprehur se kishte ardhur koha për një ndryshim “pas vitesh të tëra premtimesh të pambajtura”. Ndërsa disa republikanë të tjerë janë shprehur se lufta për lidershipin është thjesht një lojë për të tërhequr vëmendjen nga mundësia që i është dhënë kësaj partie për të kaluar legjislacionet e nevojshme.

Republikanët fituan mazhorancën në Senat gjatë zgjedhjeve të mesmandatit të mbajtura në nëntor. E megjithatë, pavarësisht fuqisë që kanë në dispozicion për të penguar disa projektligje të Obamas, ata janë irrituar së tepërmi nga disa veprime të njëanshme të Presidentit amerikan, përfshi edhe një veprim ekzekutiv ndaj emigracionit, si dhe kthesën madhore të politikës amerikane kundrejt Kubës.

Kongresi është mbledhur që prej orës 18 (me orën tonë), siç kërkohej nga Kushtetuta amerikane. Votimi i shumëdiskutuar dhe i mbetur në pritje prej vitesh për gazsjellësit “Keystone XL” pritet të miratohet në Dhomë gjatë javës në vazhdim. Të martën, legjislacioni për këtë çështje ishte projektligji i parë i prezantuar përpara Kongresit të ri.

Ai ndoshta mund të ketë mjaftueshëm mbështetje për t’u miratuar në Senat, por Shtëpia e Bardhë njoftoi se Barack Obama do të vendosë veton ndaj këtij projektligji, nëse do t’i mbërrijë në tryezën e tij për firmosje. Presidenti amerikan ka përdorur veton dy herë gjatë periudhës 6-vjeçare në krye të SHBA-ve, por ka thënë se pret ta përdorë atë më shpesh tashmë, në një kohë kur dy dhomat kontrollohen nga republikanët.

Top Channel