Nafta zbret nën pragun simbolik prej 50 USD për fuçi

07/01/2015 00:00

Çmimi Brent i naftës, apo çmimi referent global, ka rënë edhe më tepër mëngjesin e së mërkurës, në një tjetër rekord të ulët prej 5 vitesh e gjysmë, duke kapur shifrat e 49,92 dollarë për fuçi. Një çmim i tillë nuk është parë që prej marsit të vitit 2009 dhe vjen pas rënies prej 6% që pësoi edhe gjatë së hënës.

Kjo rënie duket se është detyruar nga ulja e çmimeve që Arabia Saudite ka bërë në favor të Europës. Në të njëjtën kohë, mbretëria arabe, e cila është edhe kombi më i madh prodhues i naftës në OPEC, ka rritur çmimet për konsumatorët aziatikë.

Disa analistë thonë se ulja e çmimeve reflekton dëshirën e madhe të Arabisë Saudite për të mbrojtur aksionet e saj në tregjet e Europës. Nafta amerikane ra edhe më tepër se sa kaq që prej së martës në mbrëmje, duke kapur shifrat e 48,01 dollarë për fuçi, e duke shënuar kështu edhe rënien nën pragun simbolik prej 50 USD për fuçi për herë të parë që prej prillit 2009.

Çmimi referencë i naftës (Brent) dhe ai i asaj amerikane, i njohur ndryshe edhe si nafta e ndërmjetme e Teksasit Perëndimor, kanë rënë tashmë me më shumë se 50% që prej mesit të vitit 2014. Investitorët janë të shqetësuar se kombinimi i mbifurnizimit global dhe kërkesës së dobët për naftë do të shkaktojnë rënien e mëtejshme të çmimeve.

Të dhënat e fundit tregojnë gjithashtu se prodhimi i naftës ruse për vitin 2014 ka arritur nivelin më të lartë që prej epokës sovjetike, gjithashtu një rritje të ndjeshme që prej vitit 1980 kanë pësuar edhe eksportet nga Iraku, prodhuesi i dytë më i madh i OPEC-ut.

Top Channel