Fleckenstein sot në Tiranë, do të takojë edhe familjarët e viktimave të 21 janarit

07/01/2015 00:00

Knut Fleckenstein, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, mbërrin mbrëmjen e të mërkurës në Tiranë për vizitën e parashikuar 3-ditore në kuadër të raportit të pranverës për vendin.

Ai pritet të takohet me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, kryeparlamentarin Ilir Meta, ministrat Peleshi, Bushati, Tahiri dhe Harito, kreun e PD Basha, me Avokatin e Popullit dhe përfaqësues të institucioneve vendase që merren me luftën kundër korrupsionit, administratën publike, minoritetet, si dhe eksponentë të shoqërisë civile e medias. Ai do të njihet me shqetësimet e vendeve anëtare të BE-së për vendin në tryezën e organizuar me ambasadorët në Tiranë, ndërsa është parashikuar dhe një takim i posaçëm me kreun e OSBE-së.

Pas ndërhyrjes së dhjetorit për kthimin e opozitës në Kuvend, i mandatuari i të majtës, Fleckenstein, pritet të bisedojë mbi ecurinë e zbatimit të marrëveshjes pozitë-opozitë me deputetët Taulant Balla dhe Majlinda Bregu dhe, megjithëse largohet të shtunën nga Tirana, ai do të mbajë të premten një konferencë për shtyp.
 
Përtej takimeve të organizuara nën kujdesin e delegacionit të BE-së në Tiranë, mësohet se zyra e raportuesit për Shqipërinë kërkon të takojë dhe familjarët e të ndjerit Aleks Nika, i vrarë në 21 Janar 2011, bazuar në letrën e bashkëshortes së tij, të siguruar nga Top Channel.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel