Letra e bashkëshortes së Aleks Nikës, dërguar raportuesit për Shqipërinë në PE

07/01/2015 00:00

Përtej takimeve të organizuara nën kujdesin e delegacionit të BE-së në Tiranë, mësohet se zyra e raportuesit për Shqipërinë kërkon të takojë dhe familjarët e të ndjerit Aleks Nika, i vrarë në 21 Janar 2011, bazuar në letrën e bashkëshortes së tij, të siguruar nga Top Channel.

“Quhem Rajmonda Nika. Burri im, Aleks Nika, ishte një prej 4 protestuesve civil paqësorë të vrarë në manifestimin kundër korrupsionit të 21 Janarit 2011 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pak metra larg Kryeministrisë.
Përpjekja për drejtësinë ndaj vrasjes së Aleksit tim, baba i dy fëmijëve jetim, ka qenë dhe mbetet detyra ime e vetme derisa të bëhet drejtësia.
Kam ndjekur çdo fjalë të shprehur nga përfaqësuesit e Bashkimit Europian kur lëvdojnë vlerat e sundimit të ligjit, reformën e sistemit gjyqësor, drejtësinë e pavarur në Shqipëri. Po i afrohemi vitit të 4, më 21 Janar 2015, dhe asgjë nuk është bërë për të gjetur e ndëshkuar me ligj autorët e këtij krimi.
Situata ime më ka ndihmuar për të mësuar diçka mjaft të rëndësishme: ne nuk do të kemi kurrë një sistem gjyqësor funksionues në Shqipëri, nëse drejtësia nuk bëhet për jetët e katër qytetarëve të vrarë në bulevardin kryesor të Tiranës, në mes të ditës, nga armët e qeverisë”, përfundon letra e bashkëshortes së të ndjerit Aleks Nika.

E dërguar në dhjetor, letra përmend vizitën e eurodeputetit në ndihmë të politikanëve vendas “me qëllim që ata të merren vesh dhe të bëjnë punën e tyre në parlament”. Por, Rajmonda Nika kërkon dhe që “përfaqësuesi i qytetarëve europianë të shohë nga afër problemet e qytetarëve shqiptarë”.

Kjo është hera e dytë që familjarët e Aleks Nikës kërkojnë ndërhyrjen e Brukselit për drejtësi, pas letrës së publikuar në mars të vitit të kaluar nga eurodeputetja Tanja Fajon dhe ish raportuesi për Shqipërinë, Nikola Vuljaniç.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel