Kuba liron të burgosurit politikë

07/01/2015 00:00

Kuba ka liruar disa nga 53 të burgosur, të cilët SHBA i konsiderojnë të burgosur politikë, ka bërë të ditur Departamenti Amerikan i Shtetit.

Zëdhënësja Jen Psaki tha se Uashingtoni shpreson që 53 personat e përfshirë në listën e SHBA të lihen të lirë sa më parë, por nuk specifikoi nëse ata janë liruar të gjithë.

“Ata kanë lëshuar tashmë disa të burgosur … Natyrisht ne do të donim që të gjithë ata që janë në listë të liheshin të lirë sa më parë, por natyrisht që kjo listë nuk është fundi i diskutimeve me qeverinë e Kubës mbi shkeljen e të drejtave të njeriut”, tha Psaki.

Muajin e kaluar, u sinjalizua një ndryshim historik mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës, kur Presidenti amerikan Barack Obama urdhëroi administratën e tij për rivendosjen e marrëdhënieve normale me Kubë. Gjatë muajit janar zyrtarë të dy vendeve do të takohen për të biseduar në Havanë.

Shtetet e Bashkuara dhe Kuba finalizuan një marrëveshje që parashikonte shkëmbimi e të burgosurve, konkretisht amerikanit Alan Gross dhe tre kubanezëve. Lirimi i të burgosurve ka shënuar shkrirjen e akujve mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës, me vetë presidentin Barack Obama që ka folur për “një kapitull të ri” në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Top Channel