Palestina në Kupën e Azisë, FIFA investon 1 mln USD për minifusha në Gaza

07/01/2015 00:00

Një delegacion i FIFA-s ka vizituar gjatë së martës Gazën, për të identifikuar vendet e përshtatshme se ku mund të përdoret shuma prej 1 milion dollarësh të premtuara për ndërtimin e mjediseve sportive në rajon.

70 përqind e infrastrukturës sportive në Gaza u shkatërrua gjatë konfliktit të fundit me Izraelin, ndërkohë që financimet e fundit priten t’i lejojnë Federatës palestineze të Futbollit (PFA) të ndërtojë 20 fusha të vogla në rajone të ndryshme të Rripit të Gazës.

Shuma prej 1 mln dollarësh e akorduar nga fondet e solidaritetit të FIFA-s u miratua muajin e kaluar gjatë një takimit të Komitetit të Financave të FIFA-s në Marrakech të Marokut.

David Borja, menaxher zhvillimi i FIFA-s për Azinë, udhëhoqi delegacionin gjatë vizitës në Gaza, që prej mbërritjes të hënën e 5 janarit.

“Mbështetja jonë do të jepet përmes projektit 1 mln dollarësh për minifusha, por edhe përmes mbështetjes teknike, – tha ai. – Kjo gjë do të përfshijë edhe organizimin e kurseve të futbollit në Gaza, me dërgimin e instruktorëve të FIFA-s dhe konsulentëve në rajon. Gjithashtu, Gaza do të marrë edhe mbështetje teknike e materiale sa i përket futbollit në rërë (plazh)”.

Delegacioni vizitoi në fund të kësaj ndalese edhe dy stadiume të shkatërruara gjatë konfliktit me izraelitët. Një tjetër sukses në këtë rajon është edhe ai që ka shënuar kombëtarja palestineze e futbollit, që është kualifikuar për herë të parë në Kupën e Azisë. Palestina do të debutojë në finalet e kontinentit aziatik kundër Japonisë, të hënën e 12 janarit.

Top Channel