Maradona “tradhëton” Messin: Neuer meriton Topin e Artë

07/01/2015 00:00

Çështja e “Topit të Artë” sa vjen e po ndizet edhe më shumë, me t’u afruar dita e shumëpritur e dorëzimit të trofeut, më 12 janar, në Zyrih të Zvicrës.

Por, kur dihet se gjithçka diskutohet mes treshes Leo Messi, Cristiano Ronaldo dhe Manuel Neuer, ai që ka folur së fundi është një prej legjendave të historisë së futbollit, Diego Armando Maradona, i cili ka habitur jo pak: tradhëton në këtë garë edhe “pasardhësin” e denjë të tij, “pleshtin” e Barcelonës dhe kombëtares “Albiceleste”.

“El Pibe de Oro” është shprehur në favor të portierit kampion bote me Gjermaninë, Manuel Neuer. “Për mua, Neuer ka më shumë merita këtë vit. Besoj se Cristiano Ronaldo dhe Messi kanë bërë pushime gjatë 2014-s”, është gjykimi i legjendës argjentinase, i cili nuk mund të mungonte të thoshte të tijën në këtë diskutim.

Një goditje për argjentinasin e Barcelonës, të cilin deri më sot Maradona e kishte mbajtur në pëllëmbë të dorës. E megjithatë është thjesht një mendim i tij preferencial, pasi të thuash që Ronaldo e Messi kanë bërë një vit pushim, në një kohë që gjatë 2014-s të dy bashkë kanë shënuar plot 105 gola, është diçka e paimagjinueshme.

Megjithatë, për Maradonën, ashtu siç të gjithë e dinë, është Botërori ai që vlen më shumë se sa golat. Ndaj dhe në Brazil, ai që ka fituar është Neuer me Gjermaninë e tij.

Top Channel