UNHCR: Refugjatë sirianë tejkalojnë edhe ata afganë, përpara vetëm palestinezët

07/01/2015 00:00

Sirianët kanë kaluar edhe afganët vitet e fundit, duke u bërë popullsia më e madhe refugjate pas palestinezëve, duke emigruar në më shumë se 100 vende, vetëm e vetëm për t’u arratisur nga lufta në atdheun e tyre, kanë bërë të ditur Kombet e Bashkuara gjatë së mërkurës.

Duke regjistruar mbi 3 milionë refugjatë rreth mesit të vitit 2014, sirianët zënë thuajse 1/4-tën e 13 milionë refugjatëve në botë, të cilët ndihmohen nga agjencia e OKB-së për refugjatët, duke përbërë kështu shifrën më të lartë që prej vitit 1996, thuhet në raportin e publikuar nga Kombet e Bashkuara. Rreth 5 milionë palestinezë refugjatë përfitojnë nga kujdesi i treguar prej një tjetër agjencie, UNRWA.

“Për sa kohë që komuniteti ndërkombëtar vazhdon të dështojë në gjetjen e zgjidhjeve politike ndaj konflikteve ekzistuese dhe të parandalojë nisjen e konflikteve të reja, ne do të vazhdojmë të përballemi me pasojat dramatike humanitare”, tha Komisioneri i lartë për Refugjatët në OKB, Antonio Guterres, në një deklaratë.

Të paktën 200 mijë njerëz kanë mbetur viktima dhe rreth gjysma e popullsisë siriane është zhvendosur që prej nisjes së konfliktit në mars të vitit 2011, në atë kohë në formën e protestave, e që më pas mori pamjen e një lufte civile.

Anembanë botës, rreth 5,5 milionë njerëz janë detyruar forcërisht të zhvendosen gjatë 5 muajve të parë të vitit 2014; 1,4 milionë prej të cilëve kanë emigruar jashtë vendeve respektive, thotë UNHCR.

Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore kanë qenë rajonet kryesore të origjinës së refugjatëve, duke tejkaluar kështu rajonet e Azisë dhe të Paqësorit, të cilat mbanin vendet kryesore prej më shumë se një dekadë.

Refugjatë afganë, grupi më i madh për 3 dekada, ka rënë tashmë në vendin e dytë, me 2,6 milionë të zhvendosur në Pakistan dhe Iran deri në mesin e vitit të kaluar. Somalezët janë të tretët në renditje, me 1,1 milionë refugjatë.

Top Channel