Tregjet e aksioneve ranë sot për të dytën ditë me radhë, për shkak të uljes së çmimit të naftës dhe shqetësimeve se Greqia mund të largohet nga eurozona.

Frika e një tronditjeje të zonës së euros me shkëputjen e një vendi anëtar nxiti një valë dramatike shitjesh të martën, ndërsa tregjet presin dobësimin e mëtejshëm të monedhës së përbashkët.

Ekspertët, megjithatë, ndajnë mendime të ndryshme përsa i takon ndikimit, që do të ketë një krizë e re e Greqisë. Disa prej tyre thonë se një ngërç i dytë nuk do të ishte aq i rëndë sa i pari, pasi edhe problemet me të cilat u përball Athina në vitet 2010-2012 nuk janë të njëjtat.

Eurozona, sipas tyre, ka garanci të reja parandaluese. Fidel Helmer, ekspert i Bankës “Hauck and Aufhause” në Frankfurt, nuk e sheh euron të rrezikuar. Edhe sikur në Greqi të vijë një qeveri e majtë, ajo do të detyrohet të formojë koalicion dhe do të duhet t’i plotësojë patjetër kontratat ekzistuese, shprehet ai.

Madje, duke i bërë jehonë pohimeve të Shtëpisë së Bardhë për çmimin e ulët të naftës, Helmer arsyeton se edhe rënia e euros duhet parë me optimizëm, sepse mund të veprojë si stimul për ekonominë europiane.

Mundësia që në Greqi t’i fitojë zgjedhjet partia e majtë “Syriza”, e cila është kundër masave shtrënguese financiare, ka ngjallur dyshime nëse vendi do t’i zbatojë kushtet e paketës së shpëtimit dhe nëse vendi do të qëndrojë në eurozonë.

Gjermania ka paralajmëruar se kushtet e paketës financiare duhet të zbatohen. Trysninë ndaj euros e shtojnë edhe spekulimet se Banka Qendrore Europiane po përgatitet ta “përmbytë” zonën e monedhës së përbashkët me sasi të konsiderueshme parash, në përpjekje për të shmangur recesionin.

Top Channel