“AirAsia”, gjendet bishti, shpresa për rikuperimin e kutisë së zezë

07/01/2015 00:00

Gjetja e bishtit të avionit të rrëzuar të “AirAsia” ka shtuar shpresat se shumë shpejt në duart e hetuesve do të jenë edhe kutitë e zeza të “Airbus-it A320-200”.

Regjistruesi i të dhënave dhe ai i zërit ndodhen pikërisht në këtë pjesë të avionit, ndaj zbulimi i shton mundësitë e zbardhjes sa më parë të arsyes së aksidentit fatkeq.

Bishti u diktua në zonën e dytë të kërkimeve, çka bën të mendohet se rrymat e forta nënujore i kanë zhvendosur pjesët e avionit, të zhdukur nga radarët më 28 dhjetor. Në bordin e tij ishin 162 persona. Deri më tani nuk është gjetur asnjë i mbijetuar.

Zbulimin e bishtit të avionit e pohoi shefi i operacionit të kërkimit, Bambang Soelistyo. Mund t’iu siguroj se është pikërisht ajo që kërkojmë, sepse ka shenjën dalluese të “AirAsia”-s, tha ai për gazetarët në Xhakarta.

Ky është i pari objekt i rëndësishëm i identifikuar nga aksidenti ajror. Bishti u pikas prej ekipeve të zhytësve dhe aparaturave me ndjeshmëri të lartë akustike. Pavarësisht rrymave të forta dhe dukshmërisë së ulët në ujrat e turbullta të zonës, polumbarët arritën të fotografojnë ato që duken të jenë copat e “Airbus”-it.

Deri tani janë rikuperuar 40 trupa, ndërsa autoritetet besojnë se shumë prej pasagjerëve mund të kenë mbetur të bllokuar brenda avionit.

Top Channel