Shpërthim në Jemen, 37 viktima në Akademinë e Policisë

07/01/2015 00:00

Të paktën 37 persona kanë vdekur dhe 66 të tjerë janë plagosur nga shpërthimi i një autobombe jashtë akademisë së policisë në kryeqytetin jemenas, Sana.

Automjeti shpërtheu pranë shumë kadetëve dhe njerëzve që po qëndronin në radhë për të hyrë në akademi. Autoritetet lokale flasin për një sulm vetëvrasës.

Pas shpërthimit, pjesë trupi njeriu dhe copa të makinës u përhapën në mes të rrugës. Deri tani nuk ka pasur një marrje përsipër të përgjegjësisë, por një fraksion i Al Kaedës ka kryer sulme të ngjashme në të kaluarën.

Jemeni ka përjetuar një valë dhune në muajt e fundit, me militantët e Al Kaedës në Gadishullin Arabik që janë në luftë me rebelët shiitë Shia Houthi, të cilët kanë marrë nën kontroll kryeqytetin.

Atentati i së mërkurës ndodhi në orët e para të mëngjesit në një zonë qendrore të Sanas, në afërsi të bankës qendrore dhe selisë së Ministrisë së Mbrojtjes. Shpërthimi u dëgjua në mbarë qytetin dhe një shtëllungë e madhe tymi të zi u pa të ngrihej nga vendi i ngjarjes.

Mes viktimave janë shumë kadetë, shumë të rinj që po regjistroheshin në akademi, si dhe kalimtarë të rastit, kanë deklaruar autoritetet jemenase. Forcat jemenase të sigurisë kanë qenë vazhdimisht në shënjestrën e Al Kaedës në katër vitet e fundit.

Një atentator vetëvrasës vrau mbi 90 persona në vitin 2012, në një paradë ushtarake që po kryhej në kryeqytet, ndërsa në një tjetër sulm ndaj spitalit ushtarak një vit më parë mbetën të vrarë 50 persona.

Top Channel