“Byroja 121” e Koresë së Veriut operon në Kinë

07/01/2015 00:00

Nëpër rrugët e ndriçuara të qytetit kinez, Shenyang, mund të gjesh një restorant, një hotel, si dhe biznese të tjera në pronësi apo që operohen nga qeveria koreano-veriore. Por, aty mund të gjesh edhe një rrjet sekret të hackerave koreano-verior, të quajtur si “Bureau 121”, sipas dezertorit Kim Heung-Kwang.

“Është shumë e lehtë për ta të punojnë në mënyrë sekrete. Ai qytet ka edhe një infrastrukturë shumë të mirë interneti”, thotë Kim, një ish-profesor i shkencave kompjuterike në Penian, i cili u arratis nga Korea e Veriut në vitin 2004.

Kim thotë se edhe disa prej studentëve të tij janë bërë sulmues kibernetikë për rrjetin në fjalë të hackerave. “Gjatë ditës, ata punojnë nëpër punë të ndryshme të rregullta, ndërsa pas orarit zyrtar të punës, ata veprojnë sipas urdhrave të Penianit”, thotë ai.

Por çfarë është “Bureau 121”? Kim pretendon se hackerat koreano-veriorë kanë operuar në mënyrë të fshehtë në Shenyang prej vitesh, duke lëvizur nga një vendndodhje në tjetrën për të mos u zbuluar, apo për të fshehur aktivitetin e tyre.

“Bureau 121 nisi operacionin në shkallë të gjerë në Kinë në vitin 2005. Ai është krijuar në fund të viteve ‘90”, rrëfen profesori Kim. “Pjesëtarët e atij ekipi kanë hyrë në Kinë në mënyrë të pavarur, në grupe të vogla me nga 20 anëtarë në një moment të caktuar. Ata kanë hyrë në Kinë me tituj të ndryshëm, si për shembull punonjës zyre, zyrtar i një kompanie tregtare, apo edhe staf diplomatik”.

Shumë më herët se sa Korea e Veriut të kishte shërbim interneti më vete, ajo lidhej përmes serverave në Shenyang, në provincën Liaoning, në veri të Kinës. Sot, thuajse i gjithë trafiku i internetit të Koresë së Veriut është ende i rutuar (shpërndarë) përmes Kinës.

Kim thotë se operimi në Kinë është ulur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, që kur Korea e Veriut zgjeroi aksesin në internetin e shpejtësisë së lartë, por ai beson se hackerat janë ende duke operuar në Shenyang.

“Korea e Veriut zhvillon shumë aktivitete të paligjshme në Kinë”, thotë Steve Sin, një ekspert i antiterrorizmit në Universitetin e Marylandit, si dhe ish-analist i zbulimit ushtarak të Shteteve të Bashkuara.

Sin ka shkruar një raport, ku e quan qytetin verilindor të Shenyangut, në Kinë, si një bastion i hackerave të Koresë së Veriut. “Aty gjendet një vendndodhje e sigurt dhe me një infrastrukturë të mirë”, thotë Sin. “Deri më tani, informacioni më i mirë që na është dhënë, është se ata janë ende duke kryer një operacion të tillë dhe ende mund ta bëjnë një gjë të tillë”.

Ambasada e Koresë së Veriut në Pekin, si dhe zyrtarë qeveritarë në Penian, të kontaktuar me email nga CNN, janë përgjigjur se nuk kanë çfarë të komentojnë ndaj pretendimeve të Kim. Ndërsa nga ana e saj, Kina thotë se kundërshton çdo aktivitet të paligjshëm kibernetik në territorin e saj.

Top Channel