Kardhiq-Delvinë, rrugë e lënë në mes

07/01/2015 00:00

Aksi kombëtar Kardhiq – Delvinë ka nisur punimet në dhjetor të vitit
2007. Sipas tabelës së punimeve e vendosur në krye të rrugës në Kardhiq,
loti i parë duhej të kishte përfunduar në prill të vitit 2009.

Rruga që do të shkurtonte distancën mes Gjirokastrës dhe Sarandës të paktën me 30 minuta. Aksi që  mendohej se do t’i jepte frymëmarrje jetës së afro 20 mijë banorëve të dhjetëra fshatrave në zonën e Kardhiqit në Gjirokastër dhe Rrëzomës në Delvinë gjendet ende në fazën bazë të punimeve.

Puna e tri firmave që u kontraktuan për ndërtimin e rrugës u ndërpre vite më parë. Deri vitin e kaluar ka pasur vetëm ndërhyrje të vogla në shpatet e rrugës për të shpëtuar disa banesa të kërcënuara prej rrëshqitjes së dherave. Por tashmë aksi gjendet plotësisht i braktisur ndërsa massive të mëdha dherash rrezikojnë në çdo moment mjetet që e përdorin këtë rrugë.

Moslikujdimi i nënkotraktorëve bëjnë me dije burime nga komuna Cepo është një nga arsyet e ndërprerjes së punimeve në këtë aks vlera e deritanishme  e të cilit  ka shkuar në mbi 600 milione leke. Investimi sipas specialistëve është zhvlerësuar në më shumë se 50% të tij prej degradmit fizik dhe mungesës së mirëmbajtjes.

Shumë prej banorëve të kësaj zone e kalojnë dimrin në qytet për shkak të vështirësive të komunikimit ndërsa transporti drejt tregjeve i produkteve blegtorale po bëhet gjithnjë e më i vështirë.

Aksi Kardhiq – Delvinë me gjatësi vetëm 37 km që nisi punimet 6 vjet më parë do të vendosej mbi gjurmën e rrugës që banorët e këtyre zonave kanë përdorur që në antikitet e për pasojë do t’i shërbente përveç të tjerash zhvillimit të turizmit kulturor. Mungesa e rrugës lë në harresë dhe rrezikon degradimin e dhjetëra monumenteve të kulturës që gjenden në të dy anët e malit që lidh Qafa e Skërficës.

Top Channel