Përfitoi 250 mln lekë të vjetra, dënohet me 15 vjet burg mashtruesi

07/01/2015 00:00

Gjykata e Matit ka dënuar me 15 vjet burgim shtetasin Flamur Shahini, i
akuzuar për veprën penale të ‘Mashtrimit, pas kërkesës së bërë nga
prokuroria.

Nga hetimi ka rezultuar se ai u ka marrë para nëpërmjet mashtrimit 8 shtetasve, shuma e të cilave arrin në rreth 25 milion lekë të reja. I pandehuri u premtonte se paratë që u merrte borxh do t’ua rikthente me interes më të lartë se sa ato të bankave.

I pandehuri, i cili është dënuar edhe më parë për të njëjtën vepër penale, është kallëzuar nga 8 shtetas, por ndërkohë që gjatë gjykimit ka rezultuar se ai ka mashtruar rreth 100 persona, pjesa më e madhe e të cilëve nuk kanë bërë kallëzim dhe nuk është përcaktuar shifra e parave që u ka marrë atyre personave.

Po ashtu, rezulton se Shahini ka marrë kredi në shumën 10 milionë lekë të reja në shoqëri financiare para dy vitesh, të cilës nuk i ka likuiduar asnjë këst. Pas mashtrimit të personave të ndryshëm, mashtruesi është larguar nga Shqipëria. Ai është arrestuar në Gjermani për llogari të hetimeve nga Prokuroria e Matit dhe është ekstraduar, duke vijuar gjykimin nën masën e sigurisë “arrest në burg”. Në përfundim të gjykimit, Prokuroria e Matit kërkoi nga gjykata dënimin e tij me 15 vite burgim. Kjo kërkesë është pranuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat.

Top Channel