Bota solidarizohet me francezët. Valls: Kurrë s’jemi kërcënuar kaq rëndë

07/01/2015 00:00

Pas masakrës së ndodhur në Paris ndaj redaksisë së revistës satirike, Kryeministri Manuel Valls ka thënë se deri më sot Franca “nuk është përballur kurrë me një kërcënim kaq të lartë të lidhur me terrorizmin”.

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian ka shprehur solidaritet për Francën, duke e cilësuar incidentin “një sulm ndaj të gjithëve ne, mbi të drejtat e liritë tona themelore, sepse Europa është ndërtuar mbi to”.

Kanë reaguar gjithashtu edhe Kryeministri britanik David Cameron, i cili e cilësoi masakrën e sotme si veprim prej të sëmurësh. “Vrasjet në Paris janë revoltuese. Jemi përkrah popullit francez në luftën kundër terrorizmit dhe në mbrojtje të lirisë së shtypit”, tha Cameron.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka dënuar gjithashtu masakrën e terroristëve në selinë e revistës franceze në Paris, duke e quajtur atë si një sulm ndaj lirisë së fjalës dhe të shtypit.

“Ky akt i neveritshëm nuk është thjesht një sulm ndaj jetëve të qytetarëve francezë dhe sigurisë së tyre. Ai është gjithashtu një sulm ndaj lirisë së fjalës dhe të shtypit, elementë kyç të kulturës sonë demokratike. Në asnjë mënyrë nuk mund të justifikohet një veprim i tillë”, tha Merkel.

Franca gjithashtu mori mbështetjen nga kreu i NATO-s Jens Stoltenberg, për atë që e quajti “një akt barbar dhe një sulm i egër mbi lirinë e shtypit”.

Presidenti amerikan Barack Obama në mënyrë të ngjashme e dënoi sulmin, duke thënë se ofron ndihmën e qeverisë së tij për të sjellë këta terroristë para drejtësisë, “në mbështetje të aleatit më të vjetër të Amerikës”. Sipas tij, Franca tani do t’i ofrojë botës një shembull të përjetshëm duke treguar rezistencë edhe përtej vizionit të urryer të këtyre vrasësve.

“Duhet t’i themi mjaft hipokrizisë dhe t’i thërrasim gjërat me emrin e tyre: është një masakër e përgatitur nga integralizmi islamik”, ka qenë ndërkohë reagimi i Marine Le Pen. Liderja e Frontit ka dënuar “atentatin e urryer” ndaj “Charlie Hebdo” dhe u ka bërë thirrje të gjithë francezëve që të rreshtohen për mbrojtjen e lirisë së shtypit.

Ndërsa kryeministri italian, Matteo Renzi ka thënë se “horrori dhe lemeria pushtoi rrugët e Parisit. Shprehim mbështetjen tonë për Francois Hollande dhe Anne Hidalgo në këtë moment të tmerrshëm. Dhuna do të humbasë gjithmonë, përkundrejt lirisë dhe demokracisë”, ka thënë lideri italian.

Edhe ministri i Jashtëm italian, Paolo Gentiloni ka shprehur indinjatën e tij: “Është një akt terrorist i përmasave të çmendura. Qeveria italiane shpres solidaritetin me popullin dhe qeverinë franceze. Gjëja më e rëndë është pikërisht revolta ndaj një medieje me një zë të fuqishëm, ndaj dhe mund të konsiderohet si një akt terrorist për shkak të publikimeve të ditëve të fundit”.

Edhe Papa Françesku, me një ton të ashpër deklaroi se asgjë nuk mund ta justifikojë këtë atentat të shëmtuar kriminal, që i ka lënë të gjithë pa fjalë.

Raportohet se agresorët, gjatë kryerjes së masakrës kanë thirrur “Allahu Akbar” (Zoti është më i madhi), gjë që dëshmohet edhe nga imazhet e xhiruara nga gazetari Martin Boudot, të transmetuara në televizionet franceze.

Top Channel