Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë dënon me
vendosmëri atentatin e ndodhur në selinë e revistës “Charlie Hebdo” në
Paris, si një akt i rëndë terrorist që tronditi popullin francez dhe
gjithë komunitetin e medias botërore.

Nëpërmjet një deklarate Ministria e Punëve të Jashtme nënvizon se asgjë nuk mund të justifikojë sulmin ndaj fjalës së lirë. Republika e Shqipërisë bashkohet me dhembjen e popullit francez dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave dhe autoriteteve franceze.

Edhe presidenti  Bujar Nishani, i ka dërguar një mesazh ngushëllimi Presidentit të Francës, Hollande, për viktimat dhe të plagosurit nga atentati terrorist.

“Jam tërësisht i shokuar nga atentati i sotëm terrorist në zyrat e revistës “Charlie Hebdo” në Paris, ku humbën jetën një numër i konsiderueshëm gazetarësh dhe oficerësh të policisë, si dhe u plagosën shumë të tjerë. Me ndjenjë të thellë trishtimi, u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta e të ndiera familjarëve të viktimave, popullit francez, Juve dhe Qeverisë suaj. Ju siguroj se në këto momente të vështira, unë dhe populli shqiptar jemi pranë familjarëve të viktimave dhe popullit francez, si dhe urojmë shërim sa më të shpejtë për personat e plagosur.Ky akt barbar e i patolerueshëm terrorist ndaj shtypit e fjalës së lirë, na bën edhe më të ndërgjegjshëm e më solidarë për intensifikimin e luftës sonë të përbashkët kundër terrorizmit”, shprehet Nishani.

Duke e konsideruar ngjarjen një një akt shumë të rëndë terrorist dhe si të tillë, të dënueshëm kreu i Kuvendit Ilir Meta deklaron se  “Në këto çaste të rënda, ngushëllimet më të thella shkojnë për të afërmit e viktimave dhe lutje për shërimin sa më shpejt të të lënduarve”. Kryetari i Kuvendit u shpreh se akti terrorist kundër qytetarëve të pafajshëm dhe për më tepër kundër medias së lirë kërkon ndëshkim maksimal të autorëve dhe frymëzuesve të tyre.
 
Pas masakrës në Paris, nëpërmjet një postimi në Facebook, edhe Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj ngjarjes së rëndë. “Çfare dhunimi per Francen e lirise barazise vellazerimit kasaphana mbi redaksine e gazetes se famshme satirike! Trishtim solidaritet revolte”, tha Rama.

Edhe Partia Demokratike reagoi duke dënuar me ashpërsi aktet terroriste në Paris. Duke përcjellë ngushëllimet më të ndjera për jetët e humbura si dhe shpresën e përmirësimit për jetët e rrezikuara, Partia Demokratike thotë se qëndron përkrah Francës e aleatëve në luftën kundër terrorizmit dhe në mbrojtjen e përhershme të lirisë dhe fjalës së lirë.

Top Channel