Merkel, vizitë në Londër. Diskutime mbi emigracionin dhe qëndrimin e Britanisë në BE

07/01/2015 00:00

Kur kanë mbetur vetëm katër muaj nga zgjedhjet e reja të 7 majit në Britani, vizita e Kancelares gjermane Merkel në Londer merr një rëndësi të veçantë. Kryeministri Cameron, përveç ekonomisë dhe reformave në BE, pritet që gjatë takimit me homologen gjermane të sigurojë mbështetjen e saj për planet e tij për pakësimin e emigracionit nga vendet e BE-së.

Cameron pritet të parashtrojë kërkesat e tij për negociimin e anëtarësimit të Britanisë në Bashkimin Evropian përpara referendumit, i cili siç deklaroi javën e kaluar mund të mbahet në vitin 2017, ose më herët. Përpara bisedimeve në “Doëning Street” dhe një konference të përbashkët shtypi, të dy udhëheqësit do të vizitojnë një ekspozitë për Gjermaninë në muzeun britanik.

Zyrtarisht, vizita e Merkel në Londër është pjesë e përgatitjeve për samitin e G7 në Bavari, në muajin qershor, i cili do të dominohet nga çështjet ekonomike, kur deri atëherë mund të ketë zhvillime për një “Grexit” apo edhe “Brexit”, ose më saktë një dalje të Greqisë nga eurozona, apo dalje të Britanisë nga Bashkimi Evropian respektivisht, pas zgjedhjeve në këto dy vende, këto muaj.

Laburistët e opozitës, ndërkohë, kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për mosnjoftimin nga “Foreign Office” për vizitën e Merkelit në Londër, ndërsa zyrtarë të saj thonë se Merkel në asnjë mënyrë nuk do t’i vijë në ndihmë politikisht kryeministrit për problemet e shumta që ai ka me euroskeptikët, të cilat mund të jenë vendimtare për të ardhmen politike të partisë së kryemeinistrit.

Top Channel